Policia zvicerane ka arrestuar dy shtetas rumunë, një grua 27-vjeçare dhe një burrë 30-vjeçar, të dyshuar për vjedhjen e një unaze diamanti me vlerë 460 mijë franga zvicerane. Ngjarja ka ndodhur në një dyqan bizhuterish në qytetin Zug.
Arrestimet u kryen të martën, pas disa raportimeve për sjellje të dyshimtë të dy personave në disa dyqane bizhuterish në kantonin Zug. Policia kishte marrë informacione se çifti po sillej në mënyrë të pazakontë, duke ngritur dyshime për përpjekje të mundshme për vjedhje.
Pas pranimit të raportimeve, oficerë policie me rroba civile ndërhynë, duke arritur t’i lokalizojnë dhe t’i ndalojnë personat e dyshuar. Gjatë kontrollit, u zbulua unaza e vlefshme, e cila dyshohet se ishte marrë nga një dyqan bizhuterish në rrugën Rigistrasse në Zug. Hetimet e mëtejshme konfirmuan se unaza me vlerë 460 mijë franga zvicerane ishte zhdukur nga dyqani.
Dy të arrestuarit u dërguan pranë Prokurorisë së kantonit Zug për hapa të mëtejshëm ligjorë. Prokuroria ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë.
Autoritetet zvicerane po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që dy personat të jenë të përfshirë edhe në vepra të tjera penale të ngjashme. Hetuesit po analizojnë rrethanat e ngjarjes dhe lëvizjet e të dyshuarve në dyqanet e bizhuterive, me qëllim të përcaktimit nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për veprimtari më të gjerë kriminale.
Unaza e diamantit është sekuestruar nga policia dhe shërben si provë në kuadër të procedurës hetimore. Deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e një vendimi gjyqësor, të dy personat konsiderohen të pafajshëm.
