Presidentja Osmani: Alfabeti i shqipes, dëshmi e qëndresës dhe identitetit tonë kombëtar
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me rastin e së cilës theksoi se alfabeti ynë është dëshmi e gjallë e qëndresës sonë dhe e përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Në mesazhin e saj të publikuar nga Presidenca, Presidentja Osmani kujtoi me respekt delegatët e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, të cilët u bashkuan për të përcaktuar alfabetin unik të gjuhës shqipe.
“Alfabeti i gjuhës shqipe është dëshmi e qëndresës sonë dhe e përpjekjes për ruajtjen e identitetit kombëtar. Lufta jonë për liri u bë edhe për gjuhën shqipe, për të drejtën për ta folur dhe shkruar atë lirshëm”, citohet të ketë theksuar presidentja Osmani.
Ajo veçoi 50 delegatët nga 26 qytete, shoqata dhe klube shqiptare, të cilët morën pjesë në këtë ngjarje historike më 1908.
“Sot, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje 50 delegatët nga 26 qytete, shoqata dhe klube shqiptare, të cilët në Kongresin e Manastirit, më 1908, u bashkuan për një nga vlerat themelore të identitetit tonë kombëtar, gjuhën shqipe”, shtoi më tej presidentja.
Osmani theksoi gjithashtu se ruajtja dhe përcjellja e kësaj trashëgimie të çmuar te brezat e ardhshëm është përgjegjësi e të gjithë shqiptarëve.
“Përgjegjësia jonë është ta ruajmë, ta pasurojmë dhe t’ua përcjellim brezave këtë trashëgimi me dinjitet dhe përkushtim. Ajo është trashëgimia jonë e përbashkët dhe një nga dëshmitë më të fuqishme të qëndresës sonë ndër shekuj”, përfundoi mesazhin e saj presidentja, duke uruar: “Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”
