**Shqiptarët kremtojnë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Rama: Nën hijeshinë e këtyre gërmave jeton kujtesa e kombit**

Sot, më 22 nëntor, shqiptarët shënojnë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një ngjarje me rëndësi historike dhe kulturore. Kjo ditë përkujton Kongresin e Manastirit, mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908, një ngjarje kyçe për historinë kulturore dhe kombëtare. Me këtë rast, Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh, duke theksuar se “nën hijeshinë e këtyre gërmave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymon e ardhmja”.

Kongresi, i cili përfaqëson momentin e unifikimit kulturor të shqiptarëve, u mbajt në Manastir (sot Bitola, Maqedonia e Veriut), në shtëpinë e Fehim Zavalanit, e cila sot shërben si Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Në punimet e këtij kongresi morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata shqiptare, si dhe 18 vëzhgues. Këta delegatë përfaqësonin klube patriotike dhe figura intelektuale nga të gjitha trojet shqiptare.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Mes delegatëve të shquar ishin edhe Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Parashqevi Qiriazi – gruaja e vetme pjesëmarrëse – dhe Fehim Zavalani.

Në fjalimin hapës, u theksua rëndësia e një alfabeti unik për unifikimin e gjuhës shqipe dhe nxitjen e arsimit kombëtar.

Pas disa ditësh diskutimesh dhe analizash, Kongresi vendosi të përshtatte alfabetin latin për gjuhën shqipe, duke bërë ndryshime për të pasqyruar veçoritë fonetike të saj. Ky vendim ishte një hap thelbësor, duke përjashtuar përdorimin e alfabeteve të tjera, si ai grek, arab dhe cirilik, të cilat përdoreshin më parë në zona të ndryshme.

Në këtë ditë simbolike, Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video me fotografi historike, të shoqëruar me një poezi dhe mesazhin: “Mirëmëngjes dhe në ditën e më të bukurave gërma, nën hijeshinë e të cilave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymon e ardhmja, ju uroj një të diel të qetë”.

Alfabeti i njësuar luajti një rol thelbësor në përhapjen e gjuhës dhe zhvillimin e letërsisë kombëtare, duke krijuar themelet për zhvillimin e identitetit shqiptar. Ky unifikim shërbeu gjithashtu si bazë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023, duke u kremtuar për herë të parë si e tillë po atë vit. Kjo ditë festohet gjerësisht edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, duke dëshmuar rëndësinë e saj thelbësore për mbarë kombin.