Kryeministrat Rama dhe Mickoski njoftojnë nisjen e “One Stop Shop” në kufi

Të dielën në mëngjes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, u takuan në pikën kufitare mes dy vendeve, për të njoftuar nisjen e sistemit “One Stop Shop”. Ky projekt, i cili do të vihet në zbatim ditën e hënë, synon thjeshtimin e procedurave kufitare duke mundësuar kryerjen e të gjitha kontrolleve policore dhe doganore vetëm në një pikë ndalimi, ndryshe nga praktika e dyfishtë e mëparshme.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e vlerësoi sistemin e ri si një hap konkret dhe një lehtësim të madh për miliona qytetarë. Ai theksoi se ky transformim shënon kalimin nga kontrolli i dyfishtë drejt besimit të ndërsjellë, duke cituar shprehjen “beso dhe kontrollo”. Rama shpjegoi se qëllimi afatgjatë është arritja e një faze ku kontrollet do të jenë minimale, në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Ai përgëzoi homologun maqedonas për bashkëpunimin dhe ritheksoi rëndësinë e avancimit të Korridorit 8. Kryeministri shqiptar falënderoi të gjithë ata që punuan për realizimin e këtij projekti, duke shtuar se do të vazhdohet me shtrirjen e sistemit edhe në pikat e tjera kufitare. Me një notë humori, ai vuri në dukje se homologu i tij kishte “mbajtur për vete përkthyesen më të mirë”.

Nga ana e tij, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, e cilësoi këtë bashkëpunim si një lehtësim të madh për lëvizjen e qytetarëve dhe shprehu gatishmërinë për zgjerimin e projektit edhe në pikat e tjera kufitare, duke përmendur bashkëpunimin përmes liqenit në Ohër e Strugë. Ai falënderoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, punonjësit e doganave dhe Policinë Kufitare për përkushtimin e tyre, si dhe shprehu mirënjohje ndaj kryeministrit Rama. Mickoski e mbylli fjalën e tij duke uruar festën e 22 Nëntorit.