**Babai i Edon Zhegrovës komenton qëndrimin e disa futbollistëve të Kombëtares, vlerëson djalin e tij gjatë himnit të Izraelit**

Lulzim Zhegrova, babai i futbollistit të Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi nga ndeshja e fundit e Kosovës kundër Izraelit. Bashkë me imazhin, ai ka shpërndarë edhe një koment që interpretohet si një mesazh apo kritikë e nënkuptuar drejtuar disa futbollistëve të tjerë të përfaqësueses.

Në fotografinë e shpërndarë prej tij, gjatë intonimit të himnit kombëtar të Izraelit, shihen Veldin Hoxha, Mërgim Vojvoda dhe Milot Rashica me kokën e ulur. Ndërkohë, Edon Zhegrova qëndron me kokën lart, duke mbajtur një qëndrim tjetër nga shokët e tij të ekipit.

Krahas fotografisë, Lulzim Zhegrova ka shkruar: “Kokën lart çdoherë”. Ky koment është lexuar si një vlerësim dhe përgëzim për djalin e tij, Edon, për qëndrimin e treguar gjatë ceremonisë së himnit.

Postimi i tij ka tërhequr vëmendje dhe ka nxitur diskutime, duke u parë edhe si një kritikë indirekte ndaj lojtarëve të tjerë të Kombëtares, të cilët shfaqen në fotografi me kokën poshtë. Vëmendja ndaj këtij postimi është rritur për shkak të mesazhit të qartë nga ana e babait të futbollistit, veçanërisht duke pasur parasysh kontekstin e ndjeshëm politik dhe social që shoqëroi ndeshjen në fjalë, përtej aspektit sportiv.