**Panik në Manchester: Mbi 12 mijë persona evakuohen nga koncerti pas lëshimit të një substance të panjohur**

Një person ka përfunduar në spital, ndërsa mbi 12 mijë të tjerë janë evakuuar pas lëshimit të një substance të panjohur në ajër, gjatë një koncerti në sallën “Co-op Live” në Manchester të Britanisë së Madhe.

Ngjarja ndodhi gjatë performancës së reperit Don Toliver. Pak pas orës 22:00, policia shpalli gjendjen e emergjencës, pas raportimeve se disa persona po shfaqnin shenja helmimi nga një substancë e dyshuar.

Më shumë se 50 persona morën ndihmë mjekësore në vendngjarje, ndërsa ekipet e emergjencës kryen edhe procedurat e nevojshme të dekontaminimit.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e evakuimit, ku disa prej të pranishmëve shihen duke kollitur dhe duke mbuluar gojën teksa largoheshin me shpejtësi nga ambientet e koncertit.

Deri më tani, substanca e lëshuar në ajër nuk është identifikuar. Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar rrethanat e incidentit dhe natyrën e lëndës së dyshuar.