Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar mundësinë e sulmeve të reja ushtarake kundër Iranit pas Vitit të Ri, nëse të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje.

Në një intervistë për televizionin Fox News, Trump shprehu pakënaqësinë për negociatat me Teheranin, duke i cilësuar ato si të pavlera. Sipas tij, pala iraniane po fiton kohë përmes bisedimeve, ndërkohë që vijon të përshkallëzojë tensionet.

“Ata janë më agresivë tani sesa përpara zgjedhjeve”, deklaroi presidenti amerikan, duke ironizuar negociatorët iranianë dhe duke i quajtur “valltarë profesionistë të kërcimit me këpucë”.

“Ata flasin vazhdimisht. E vetmja gjë që bëjnë është të flasin, por e gjithë kjo është e pakuptimtë”, shtoi Trump.

Kërcënimi për Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan iu referua gjithashtu situatës në Ngushticën e Hormuzit, duke sfiduar Iranin që të përpiqet të thyejë bllokadën detare amerikane.

“Shpresoj ta bëjnë. Të gjithë do të përfundojnë në fund të detit, ashtu si pjesa tjetër e flotës së tyre”, u shpreh Trump, duke lëshuar një tjetër paralajmërim të ashpër ndaj Teheranit.

Ndërkohë, në disa qytete të Iranit kanë rifilluar protestat kundër qeverisë. I pyetur për zhvillimet dhe rikthimin e demonstratave, Trump iu drejtua protestuesve me një mesazh të shkurtër:

“Vazhdoni të protestoni”, deklaroi presidenti amerikan. /Panorama