Borussia Dortmund vazhdoi formën e mirë në Bundesliga, duke siguruar fitore 1-0 ndaj Borussia Mönchengladbachut dhe duke e thelluar në dy pikë epërsinë në krye të tabelës ndaj Bayern Munichut.
Rivalët e tyre në garën për titull, Bayern Munichu, humbën terren të premten mbrëma, pasi barazuan 1-1 me Kolnin. Për ta bërë edhe më zhgënjyes këtë rezultat, bavarezët tashmë do të jenë pa Harry Kanen për disa muaj.
Kështu, Dortmundi mund ta konsiderojë këtë si mundësinë më të mirë për ta fituar Bundesligën për herë të parë që nga viti 2012.
Një pjesë e madhe e shpresave të klubit mund të varen nga Felix Nmecha, i cili po kalon një formë të shkëlqyer dhe pritet të vazhdojë të kontribuojë me gola. Megjithatë, disa tifozë shpresojnë që mesfushori t’i japë fund festimit të tij kontrovers pas golave.
Festimi i golave nga Nmecha lidhet me lëvizjen “Ballers in God”, e themeluar në vitin 2015 nga ish-mesfushori i Tottenhamit, John Bostock.

Kjo organizatë shërben si një platformë ku futbollistët krijojnë lidhje përmes besimit të tyre të përbashkët të krishterë.
Organizata shet produkte të ndryshme dhe organizon rregullisht takime lutjesh dhe aktivitete të përbashkëta.
Megjithatë, kjo lëvizje është kritikuar nga grupi i tifozëve të Dortmundit për shkak të festimit të golave të Nmechas.
Duke iu referuar gjestit të vendosjes së kurorës, “Ballers in God” kishte deklaruar: “Qoftë pas shënimit të një goli apo në një moment reflektimi, këta lojtarë po i përdorin platformat e tyre për t’i drejtuar njerëzit drejt Mbretit të Mbretërve! Futbolli mund të sjellë duartrokitjet, trofetë dhe lavdinë, por ekziston vetëm NJË që e meriton adhurimin tonë”.
Megjithatë, tifozët e Dortmundit kundërshtojnë këtë festim, pasi kanë ngritur shqetësime për lëvizjen “Ballers in God”.
Ata pretendojnë se hetimet e realizuara nga “ARD”, revista “MONITOR” dhe emisioni sportiv “Sportschau” kanë “dokumentuar se homoseksualiteti është përshkruar si mëkat dhe aborti si plan i Satanit” në qarqet që përdorin shërbimet misionare të organizatës “Ballers in God”.
Në një deklaratë të gjatë, grupi i tifozëve shtoi se hetimet kanë zbuluar gjithashtu se “promovohen qëndrime jashtëzakonisht konservatore kundër homoseksualitetit dhe identitetit transgjinor”.
Tashmë, në Asamblenë e Përgjithshme të klubit, për këtë çështje kanë reaguar edhe drejtuesit e Borussia Dortmundit, drejtori ekzekutiv Carsten Cramer dhe presidenti Hans-Joachim Watzke.
Watzke deklaroi: “A ka të drejtë departamenti i tifozëve ta bëjë këtë deklaratë? Një po e pakushtëzuar. A lejohet Felix Nmecha ta shprehë besimin e tij në Borussia Dortmund? Një po e pakushtëzuar”.
Ndërkohë, Cramer shtoi: “Mund t’ju them këtu dhe tani. Në Borussia Dortmund nuk do të lejojmë që të thuhet asnjë fjalë e keqe për një lojtar si Felix Nmecha”.
Dortmundi shpreson që mesfushori të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës dhe ta ndihmojë klubin drejt fitimit të titullit të nëntë të Bundesligës.
Megjithatë, klubi mund të përballet me largimin e tij, pasi interesimi për shërbimet e futbollistit gjerman është i madh në të gjithë Evropën.
Liverpooli dhe Real Madridi janë përmendur si dy prej klubeve të interesuara për reprezentuesin gjerman.
Por është Manchester United ai që lidhet më së shumti me transferimin e tij, pasi klubi anglez synon të përforcohet nën drejtimin e Mauricio Pochettinos.
Sipas një raportimi të “Fussball News”, Manchester United tashmë ka kontaktuar përfaqësuesit e futbollistit dhe po shqyrton mundësinë që në javët e ardhshme të nisë bisedimet me Borussia Dortmundin.
Raportohet se Dortmundi e vlerëson reprezentuesin gjerman rreth 100 milionë euro, ndonëse në qershor të vitit 2027 pritet të aktivizohet një klauzolë lirimi prej 80 milionë eurosh./GazetaExpress/
