Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, ka bërë të ditur se nuk do të udhëtojë të mërkurën në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për televizionin publik serb RTS, Çupiq tha se kishte marrë të premten ftesë nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, por ishte detyruar ta refuzonte për shkak të vazhdimit të seancës së Kuvendit të Serbisë.
Ai shpjegoi se Kuvendi ende nuk i ka përfunduar pesë pikat e mbetura të rendit të ditës dhe se do të ishte e papërgjegjshme ta ndërpriste punën për të udhëtuar drejt Brukselit.
“Do të ishte e papërgjegjshme që në këtë moment, kur ende nuk i kemi përfunduar as ato pesë pika të rendit të ditës, unë të largohesha për të marrë pjesë në atë takim”, deklaroi Çupić, duke shtuar se Costa e kishte kuptuar plotësisht arsyetimin e tij.
Kreu i Kuvendit serb përmendi edhe situatën politike në Serbi, duke theksuar se vendi vazhdon të ketë qeveri dhe ministra në mandat teknik.
Sipas tij, pjesëmarrja në një samit të tillë ndërkombëtar, që mbahet dy herë në vit, kërkon përgatitje të mirëfillta.
“Unë kam ardhur në këtë funksion të enjten, ndërsa që të mërkurën të shkoj pa asnjë përgatitje do të ishte joserioze”, tha ai.
Çupić theksoi gjithashtu se është vetëm ushtrues detyre i kryetarit të Kuvendit dhe se dëshiron që këtë dallim ta dëshmojë edhe përmes shembullit të tij personal.
“Unë jam ushtrues detyre i kryetarit, ndërsa fakti që këtu, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, jemi mësuar që ushtruesit e detyrës të sillen sikur të kishin mandat të plotë, është çështje tjetër”, deklaroi ai.
Ai shtoi se do ta ushtrojë këtë funksion vetëm për periudhën deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Duke folur për qëndrimin e Kuvendit ndaj integrimit evropian, Çupić tha se kjo çështje duhet të kalojë përmes debatit dhe procedurave parlamentare, ku do të diskutohen të gjitha detajet, veçanërisht për shkak të polarizimit të shoqërisë serbe rreth kësaj teme.
