**Konferencë Ndërkombëtare në Prishtinë: Mirëqenia Mendore dhe Fuqizimi i të Rinjve në Fokus**

Në Prishtinë u mbajt një konferencë ndërkombëtare, e titulluar “Shëndeti Mendor i Fëmijëve dhe të Rinjve dhe Vullnetarizmi Edukativ”, e cila vuri në qendër të vëmendjes mirëqenien mendore të fëmijëve dhe të rinjve. Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për sfidat me të cilat përballen ata, si dhe për rëndësinë e përfshirjes së tyre në aktivitete edukative dhe në zhvillimin e komuniteteve.

Konferenca prezantoi gjithashtu gjetjet e një projekti të zbatuar në Kosovë dhe Rumani, i cili u përqendrua te mirëqenia mendore e fëmijëve në zonat rurale dhe komunitetet me kushte ekonomike të vështira.

Raffaella Della Porta nga Agjencia Ekzekutive Evropiane për Arsim dhe Kulturë (EACEA) theksoi rëndësinë e projektit, duke shpjeguar se ai kishte realizuar hulumtime mbi shëndetin mendor të fëmijëve dhe kishte zhvilluar mjete konkrete për edukatorët, për t’i ndihmuar të rinjtë të shprehin nevojat dhe shqetësimet e tyre. Ajo shtoi se Bashkimi Evropian, përmes programit “Qytetarët, Barazia, Të Drejtat dhe Vlerat” (CERV), mbështet të drejtat themelore, barazinë dhe pjesëmarrjen demokratike, duke theksuar se të drejtat e fëmijëve duhet të garantohen që në të tashmen. Della Porta njoftoi se projektet e financuara në vitin 2024 do të prezantojnë rezultatet e tyre në Bruksel dhe se BE-ja do të vazhdojë mbështetjen financiare për nisma të tilla edhe përmes programit pasardhës të CERV-it.

Hatixhe Zeka, drejtoresha ekzekutive e organizatës TOKA, theksoi nevojën për të krijuar mundësi të barabarta për fëmijët dhe të rinjtë, sidomos ata në zonat rurale, të cilët shpesh nuk kanë akses në mundësitë që u ofrohen bashkëmoshatarëve të tyre në qytete. Ajo përdori shembullin e një vajze 15-vjeçare të quajtur Ana, për të ilustruar se shumë të rinj kanë potencial dhe ide, por u mungon hapësira për t’i shprehur ato. Zeka theksoi se mësimi përmes shërbimit është një metodologji efektive që u mundëson të rinjve të kontribuojnë në komunitetet e tyre, ndërsa njëkohësisht zhvillojnë aftësi personale.

Prof. Dr. Aliriza Arenliu, drejtor i Institutit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, paraqiti gjetjet e hulumtimit mbi shëndetin mendor të fëmijëve në Kosovë dhe Rumani. Ai zbuloi se rreth dy në pesë fëmijë i mbajnë shqetësimet e tyre brenda vetes, pa i ndarë me askënd. Arenliu theksoi gjithashtu se, megjithëse fëmijët dinë për ekzistencën e psikologëve shkollorë, shumë hezitojnë të kërkojnë ndihmë për shkak të mungesës së besimit dhe frikës se shqetësimet e tyre mund të bëhen publike, sidomos në komunitetet e vogla. Ai përfundoi duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe organizatave joqeveritare, një praktikë që, sipas tij, nuk është ende mjaftueshëm e përhapur në Kosovë dhe në rajon.