Shqipëria mohon përfshirjen në sulmin ukrainas në Libi
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka mohuar kategorikisht se territori shqiptar është përdorur për nisjen e dronëve që sulmuan një anije luftarake ruse në Libi. Ky reagim vjen pas pretendimeve të shpërndara gjerësisht në platformat sociale.
Reagimi i Tiranës pasoi sulmin e 22 nëntorit ndaj anijes luftarake ruse “Merkury”, të tipit korvetë, e ankoruar në një bazë detare pranë Bengazit, në lindje të Libisë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi më 23 nëntor se Ukraina kishte sulmuar dy anije ruse pranë brigjeve libiane, duke përdorur shtatë dronë detarë. Sipas tij, anija “Merkury”, e lëshuar në shërbim në vitin 2023, u fundos, ndërsa objektiv ishte edhe një anije mallrash që transportonte armë dhe municione ruse përmes Mesdheut. Zelensky nuk specifikoi nga ishin nisur dronët.
**Qëndrimi i Ministrisë së Jashthtme Shqiptare**
“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, deklaroi Ministria e Jashtme shqiptare përmes një postimi në Facebook.
Ministria i quajti pretendimet që lidhnin Shqipërinë me sulmin si të pabazuara, duke theksuar se ato nuk mbështeten në prova të verifikueshme. Ajo u bëri thirrje atyre që i kanë përhapur këto informacione, t’i korrigjojnë ato.
**Kush pretendoi se dronët u nisën nga Shqipëria?**
Pretendimet për përfshirjen e Shqipërisë u shpërndanë më 22 nëntor në platformën sociale X (ish-Twitter), nga profilet që publikojnë informacione mbi zhvillimet ushtarake.
Llogaria “Clash Report”, duke cituar një burim të paidentifikuar, pretendoi se dronët ishin nisur nga Shqipëria dhe jo nga Libia perëndimore. Sipas këtij burimi, autoritetet e Libisë lindore kishin zbuluar nisjen e tyre, ndërsa raportimet për origjinën nga Libia perëndimore synonin të shpërqendronin vëmendjen.
Edhe llogaria “Visioner” pretendoi se një dron detar kishte përshkuar më shumë se 800 kilometra nga Shqipëria deri në brigjet e Libisë. Asnjë prej këtyre profileve nuk ofroi prova të verifikueshme për pretendimet e tyre.
**Detaje mbi sulmin**
Autoritetet në Libinë lindore njoftuan se një sulm i dyshuar me dronë detarë shkaktoi një shpërthim në anijen luftarake ruse “Merkury”, e ankoruar në bazën detare të Bengazit më 22 nëntor. Anija kishte ndaluar për t’u furnizuar me karburant dhe pajisje, në kuadër të një bashkëpunimi detar mes Rusisë dhe autoriteteve të Libisë lindore.
Sipas burimeve mjekësore të cituara nga agjencia Reuters, dhjetë shtetas rusë dhe libianë pësuan lëndime të lehta. Pamjet satelitore të kompanisë Vantor treguan se pjesa më e madhe e anijes ishte fundosur, ndërsa vetëm pjesa e përparme mbetej mbi ujë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi më 23 nëntor se Ukraina kishte kryer sulmin me shtatë dronë detarë, duke fundosur anijen “Merkury” dhe, sipas deklaratave të tij, duke shkatërruar gjithashtu një helikopter ushtarak rus, Ka-27. Ai shtoi se ishte goditur edhe anija ruse e mallrave “Angara”, të cilën Moska e përdorte për transportimin e armëve.
Reuters raportoi, ndërkohë, se edhe një anije tregtare me flamur maltez ishte goditur nga një dron detar pranë Bengazit, po më 22 nëntor. Burime ushtarake libiane thanë se ekuipazhi i saj ishte shpëtuar dhe se forcat libiane kishin kapur më shumë se 20 dronë detarë atë mbrëmje. Nuk është vërtetuar nëse anija me flamur maltez përkon me anijen e mallrave të përmendur nga Zelensky.
**Kërkesa për hetim të pavarur**
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi shprehu shqetësimin e tij për sulmet ndaj anijeve pranë Bengazit dhe kërkoi një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent. Ai paralajmëroi se Libia nuk duhet të kthehet në një fushëbetejë për konflikte të huaja dhe u bëri thirrje palëve të evitojnë shpërndarjen e informacioneve të paverifikuara.
Qeveria e Libisë lindore, me seli në Bengazi, e quajti sulmin si shkelje të sovranitetit të vendit dhe kërcënim për sigurinë detare, duke theksuar se Libia nuk është palë në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Kreu i kësaj qeverie, Osama Hammad, njoftoi se kishte paraqitur ankesë në Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar. Ai kërkoi, gjithashtu, shpjegime nga Ukraina për praninë e mundshme të personelit të saj ushtarak në Libi.
Edhe Qeveria rivale në Tripoli, e njohur ndërkombëtarisht, shprehu shqetësimin e saj lidhur me përfshirjen e mundshme të porteve dhe objekteve civile libiane në konflikte të jashtme.
**Marrëdhëniet e Shqipërisë me Ukrainën dhe Rusinë**
Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, e ka mbështetur Ukrainën që prej nisjes së pushtimit të plotë rus, në shkurt të vitit 2022. Tirana e ka dënuar agresionin rus, u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Moskës dhe i ka ofruar Ukrainës mbështetje politike, humanitare dhe ushtarake.
Në shkurt të vitit 2024, Shqipëria ka organizuar Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, ku ka marrë pjesë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Gjatë vizitës, ai dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, kanë nënshkruar një traktat miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.
Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës, ndërkaq, që atëherë janë përkeqësuar ndjeshëm. Në mars të vitit 2022, Rusia e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve që i konsideron “jomiqësore”.
