Sazan Ibrahimi zbulon pyetje absurde në konkurset e MPB-së: “Sa këmbë ka merimanga?”

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka bërë të ditur detaje rreth pyetjeve të përdorura nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në konkurset për punësim në sektorin e prokurimit dhe inspektoratet komunale.

Ibrahimi, duke folur në emisionin T7, i cilësoi këto pyetje si qesharake dhe absurde, duke marrë si shembuj ato që lidhen me numrin e këmbëve të merimangës apo me balenat.

Një prej pyetjeve të cituara nga Ibrahimi ishte: “Merimanga hyn në grupin e insekteve, ku insektet jo gjithmonë janë gjashtëkëmbëshe. Sa këmbë ka merimanga?” Opcionet e përgjigjeve përfshinin: a) merimanga ka 6 këmbë; b) merimanga ka 8 këmbë; c) merimanga ka 12 këmbë; d) merimanga është shumëkëmbëshe.

Ibrahimi theksoi nevojën për ndryshimin rrënjësor të sistemit të konkurseve publike.

“Këto pyetje më duken si të nxjerra nga testet PISA,” tha ai, duke shtuar se kandidatët, pas daljes nga testi, ishin natyrshëm të zhgënjyer dhe të dëshpëruar, duke analizuar më pas përgjigjet.