Aleanca akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për manipulim videosh të fjalimit të Besnik Tahirit mbi energjinë: Propaganda arma e tyre

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ashpër ndaj publikimit të videove të manipuluara në rrjetet sociale, në të cilat, sipas saj, është shtrembëruar fjalimi i Besnik Tahirit, nënkryetarit të parë të partisë dhe shefit të Grupit Parlamentar, gjatë seancës së fundit të Kuvendit.

AAK thekson se kjo qeveri, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, po përdor propagandën si armë kryesore. Publikimi i videove të tilla, sipas Aleancës, shërben si përpjekje për të shmangur vëmendjen nga mungesa e rezultateve konkrete në qeverisje.

Partia opozitare sqaron se në seancën e fundit, Besnik Tahiri kishte kërkuar nga Qeveria ndryshimin e strategjisë për investimet energjetike. Ai kishte theksuar nevojën që Kosova të nisë punën për krijimin e “The Energy Case of Kosova”, me qëllim të rikthimit të burimeve dhe shfrytëzimit optimal të kapaciteteve vendore energjetike.