Rreth 200 mijë euro janë mbledhur nga Endrit Azemi përmes platformës GoFundMe, duke pretenduar se ishte diagnostikuar me leukemi akute, raporton Ekonomia Online.

Në këtë fushatë për mbledhjen e fondeve ishte përfshirë edhe motra e tij, e cila kishte bërë thirrje publike për ndihmë në sheshin e qytetit të Gjilanit, duke kërkuar nga qytetarët që të kontribuonin aq sa kishin mundësi.

Megjithatë, Gëzim Azemi, vëllai i Endritit, në një paraqitje në ATV ka deklaruar se edhe familjarët e tij kishin besuar se Endriti ishte i sëmurë.

“Qysh është mashtruar një shqiptar, jemi mashtruar edhe ne”, tha Azemi.

Ai ka treguar se ishte kthyer nga Kroacia, pasi kishte besuar se familjari i tij vuante nga një sëmundje e rëndë.

“Unë jam kthyer nga Kroacia sepse kam menduar si të gjithë që ai është i sëmurë; e kam ndjerë obligim”, ka shpjeguar Azemi.

Ndërkohë, mediumi Nacionale ka publikuar pamje, për të cilat raporton se janë realizuar pranë shtëpisë së të dyshuarit Endrit Azemi.

Sipas këtyre pamjeve, të dielën në mbrëmje disa persona kanë shkuar pranë shtëpisë së tij, ku shihen të revoltuar.

Lidhur me rastin, Prokuroria ka bërë të ditur se, pas pranimit të informacioneve, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke bllokuar paratë e grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara.

I dyshuari ishte shpallur në kërkim policor, ndërsa është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.