**Musliu-Shoshi kërkon mbështetjen e Belgjikës për tri çështje kyçe të Kosovës**

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kërkuar mbështetjen e Belgjikës për avancimin e tri çështjeve me rëndësi të veçantë për vendin. Kërkesa e saj u bë publike përmes një postimi në rrjetet sociale, pas një takimi me ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Arnaud Dusaucy.

Njëra prej çështjeve të ngritura ishte kërkesa për monitorim të pavarur ndërkombëtar të shqyrtimit të provave në procedurën e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ky monitorim synon të garantojë transparencë, paanshmëri dhe respektim të standardeve për një proces të drejtë gjyqësor.

Musliu-Shoshi theksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo i kërkoi ambasadorit angazhimin e Belgjikës në Komitetin e Ministrave, në mënyrë që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të vendoset në rend dite për vendimmarrje. Deputetja nënvizoi se anëtarësimi në këtë organizatë do t’u ofronte qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pas plotësimit të kushteve përkatëse.

Lidhur me procesin e integrimit evropian, Musliu-Shoshi kërkoi mbështetjen e Belgjikës në Këshillin e Bashkimit Evropian. Kjo mbështetje është e domosdoshme për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar në vitin 2022.