**Osmani: Kuvendi të mos dëmtojë procesin e apelit në Hagë, të përqendrohet te mbështetja ligjore dhe diplomacia**

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar ashpër mënyrën se si Kuvendi i Kosovës ka trajtuar çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se kjo mund të dëmtojë procesin e Apelit në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një intervistë për Ekonomia Online, Osmani theksoi se Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në gjykatë. Ajo shtoi se përpjekjet institucionale duhet të përqendrohen në mbështetjen e ekipeve juridike dhe në diplomaci ndërkombëtare.

“Kuvendi i Kosovës duhet ta lërë politikën anash në mënyrë që të mos dëmtojë këto procese, sepse prokuroria mund ta marrë fatkeqësisht si rrethanë rënduese këtë proces rreth Ligjit për Specialen,” deklaroi Osmani. Ajo përshkroi procesin si konfuz, me ligjin që “sa miratohet, sa tërhiqet, sa kthehet prapë”, duke shkaktuar një “dëm totalisht të panevojshëm” si për besimin qytetar ashtu edhe për procesin e Apelit.

Osmani kërkoi që institucionet të përqendrohen në sigurimin e mbështetjes juridike për ekipet mbrojtëse, ndërsa angazhimi diplomatik duhet të jetë në mbrojtjen e së vërtetës historike të Kosovës. “Kuvendi nuk ka nevojë të shndërrohet në gjykatore dhe të marrë rolin e gjykatës, por duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore të japin gjithë mbështetjen e nevojshme juridike dhe të bëjnë lobim ndërkombëtar në kontekstin e mbrojtjes së të vërtetës historike, sepse Serbia nuk ndalet kurrë me gënjeshtrat e veta dhe me narrativën e rreme,” tha ajo.

Ish-presidentja kritikoi institucionet e Kosovës për mungesën e angazhimit në platformat ndërkombëtore për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së. Ajo theksoi se, ndërsa Serbia “nuk po lë gur pa lëvizur” për të përhapur narrativën e saj të rreme, institucionet vendore nuk kanë bërë asgjë në muajt e fundit për të mbrojtur të vërtetën historike dhe pastërtinë e luftës çlirimtare.

Lidhur me mbështetjen e ofruar ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Osmani përmendi deklaratat publike të avokatit të ish-presidentit Hashim Thaçi, sipas të cilit, institucionet kanë bërë maksimumin në aspektin financiar. Ajo kujtoi edhe rezolutën e Kuvendit që kërkon mbështetje për procedurën e Apelit. “Këto janë procese që i takojnë gjyqësorit dhe ne gjithmonë kemi besuar që Kuvendi i Kosovës nuk duhet të shndërrohet në gjykatore, sepse mendojmë se vetëm sa i bën dëm procesit të Apelit në Hagë,” shtoi Osmani.

Duke folur për vizitën e fundit të Jakup Krasniqit me familjen në Kosovë, Osmani shprehu keqardhje që jo të gjithë anëtarët e familjes patën mundësi ta takonin. Ajo kërkoi që krerëve të UÇK-së t’u garantohen standardet më të larta evropiane për të drejtat e njeriut, përfshirë vizita më të shpeshta dhe më shumë kohë me familjarët.

Ish-presidentja kundërshtoi mundësinë që Jakup Krasniqi të shihet si person që mund t’i shmanget drejtësisë, duke rikujtuar se ish-krerët e UÇK-së ishin dorëzuar vullnetarisht në vitin 2020. “Nuk ka asnjë arsye të vetme që të synohet të krijohet një përshtypje se do të largoheshin nga drejtësia apo do të krijonin pengesa,” theksoi ajo, duke përsëritur thirrjen për respektimin e standardeve të larta për të gjykuarit.