Mikel Arteta ka dhënë një lajm shumë të mirë sa i përket gjendjes fizike të David Rayas, pasi portieri i Arsenalit pësoi një problem të dhimbshëm në shpatull në ndeshjen kundër Newcastle United.
Ndonëse spanjolli do të mungojë në përballjen e së martës në Ligën e Kampionëve kundër Borussia Dortmundit, ai nuk do t’i nënshtrohet operacionit, i cili do ta mbante jashtë fushave për disa muaj.
Arsenali ka marrë një lajm shumë pozitiv për gjendjen e portierit të tij të parë, David Raya.
Spanjolli u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 70-të, mes dhimbjeve të mëdha, gjatë barazimit 2-2 në Premierligë ndaj Newcastle, pas një përplasjeje me sulmuesin William Osula.
Kepa Arrizabalaga e zëvendësoi 31-vjeçarin në stadiumin “St James’ Park”, duke ngritur menjëherë shqetësimet për një mungesë të gjatë të portierit të padiskutueshëm të Arsenalit.
Megjithatë, ekzaminimet e mëvonshme mjekësore kanë sjellë një diagnozë shumë më pozitive për klubin londinez.
Duke folur para ndeshjes së Arsenalit në Ligën e Kampionëve kundër Borussia Dortmundit, Arteta konfirmoi se portieri i tij i ka shpëtuar skenarit më të keq.
Raya mungoi në stërvitjen e hapur të së hënës dhe nuk do të jetë i gatshëm për përballjen me skuadrën gjermane, por parashikimet për rikuperimin e tij afatgjatë janë shumë inkurajuese.
“Fatkeqësisht, ai nuk është i gatshëm për nesër, por nuk duket diçka shumë serioze. Na duhen edhe disa teste të tjera nesër, por rezultatet janë mjaft inkurajuese, duke marrë parasysh dhimbjet që kishte menjëherë pas aksionit. Të gjithë ishim mjaft të shqetësuar, por duket se gjendja është më e mirë sesa prisnim”, shpjegoi Arteta para gazetarëve.
Disponueshmëria e Rayas është shumë e rëndësishme për Arsenalin, i cili po vazhdon garën në kampionatin anglez dhe në Evropë.
Ish-portieri i Brentfordit ishte një nga lojtarët kyç në suksesin historik të Arsenalit në Premierligë sezonin e kaluar dhe ka vazhduar me paraqitje të shkëlqyera edhe këtë edicion, duke mbajtur portën e paprekur në shtatë nga dhjetë ndeshjet e zhvilluara para udhëtimit në Newcastle.
Shqetësimet fillestare ishin se portieri mund të kishte pësuar dëmtim të nervave, por Arteta pranoi se lëndimi mund të kishte rezultuar me disa muaj mungesë.
“Prisnim diçka shumë më të keqe, pasi ai pothuajse nuk mund t’i përballonte dhimbjet që kishte. Nuk ka nevojë për operacion, që ishte frika jonë kryesore, kështu që të shohim”, shtoi trajneri i Arsenalit.
Me Rayën jashtë për përballjen e ardhshme ndaj Dortmundit, Kepa pritet ta zëvendësojë atë në portën e Arsenalit në këtë ndeshje të rëndësishme të Ligës së Kampionëve.
Klubi anglez shpreson që spanjolli të rikthehet sa më shpejt në ndeshjet e kampionatit, veçanërisht duke pasur parasysh numrin e madh të lojtarëve të lënduar.
William Saliba sapo është rikthyer në listën e lojtarëve për ndeshje, pas një problemi me shpinën që pësoi në Kupën e Botës, ndërsa Martin Zubimendi do të mbetet jashtë deri në fund të dhjetorit.
Për më tepër, ylli kryesor i skuadrës, Bukayo Saka, pritet të ketë nevojë edhe për rreth katër javë për t’u rikuperuar nga lëndimi në kofshë, të cilin e pësoi në ndeshjen kundër Bayern Munichut./GazetaExpress/
