Ukraina ka njoftuar se forcat e saj kanë fundosur anijen luftarake ruse “Merkury” në portin e Bengazit, Libi, pas një sulmi me dronë detarë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se operacioni u krye të dielën dhe shkaktoi gjithashtu shkatërrimin e një helikopteri luftarak.

Autoritetet libiane që kontrollojnë rajonin lindor konfirmuan se një shpërthim ishte regjistruar në orët e para të mëngjesit në bazën detare të Bengazit. Sipas raportimeve të BBC-së, anija ruse ndodhej aty për furnizim me karburant dhe pajisje, para kthimit në Rusi.

Zelensky tha se gjatë operacionit u përdorën shtatë dronë detarë, të cilët kishin në shënjestër korvetën “Merkury”, një nga anijet më të reja të flotës detare ruse. Ai shtoi se gjatë sulmit ishte shkatërruar edhe një helikopter luftarak i tipit Ka-27.

Presidenti ukrainas zbuloi gjithashtu se një tjetër anije ruse, transportuesja e kontejnerëve MV ANGARA, ishte goditur në të njëjtin operacion. Sipas pretendimeve të Kievit, kjo anije shfrytëzohej për transportimin e armëve.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Libi njoftoi se kishte pranuar persona të plagosur nga një anije tregtare e goditur pranë brigjeve të portit. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse kjo anije është e njëjta për të cilën Ukraina ka marrë përgjegjësinë.

Pas sulmeve, Kremlini paralajmëroi për një “përshkallëzim të tensioneve në rajon”, por zyrtarët rusë shmangën dhënien e komenteve të drejtpërdrejta mbi pretendimet për goditjen e anijeve në Libi.

Në një reagim të hënën, Zelensky e përshkroi operacionin si një veprim të suksesshëm të forcave ukrainase, në përgjigje të agresionit rus.