**Investimet e Huaja Direkte në Kosovë Kalojnë 1 Miliard Euro për Herë të Parë**
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se investimet e huaja direkte në Kosovë kanë kaluar për herë të parë shifrën prej 1 miliard eurosh. Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë prezantimit të vizionit ekonomik të Kosovës në edicionin e 11-të të Panairit të Menaxhimit të Investimeve (IME 2026) në Frankfurt të Gjermanisë.
Gjatë këtij forumi, ministrja Kusari-Lila paraqiti potencialin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë atraktive për investime, përballë përfaqësuesve të qeverive, institucioneve dhe investitorëve ndërkombëtarë.
Ajo theksoi se Kosova është një ekonomi në zhvillim, e orientuar drejt së ardhmes evropiane dhe e gatshme të vazhdojë me rritje e zhvillim të qëndrueshëm. Sipas saj, rrugëtimi i vendit nga rindërtimi i pasluftës deri te konsolidimi demokratik ka krijuar themele solide për prosperitet ekonomik.
Kusari-Lila vuri në dukje se, përveç tejkalimit të shifrës së 1 miliard eurove në investime të huaja direkte, Kosova numëron mbi 53,000 biznese aktive dhe 426,000 vende pune të regjistruara. Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) po dëshmon potencialin konkurrues të vendit me rreth 400 milionë euro eksporte.
Fokusi strategjik i ministrisë, sipas saj, mbetet fuqizimi i prodhimit vendor, zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme dhe rritja e eksporteve. Ajo theksoi se Kosova u ofron investitorëve ndërkombëtarë stabilitet, fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar, si dhe kushte fiskale konkurruese. Kushtet atraktive përfshijnë një tatim në fitim prej vetëm 10%, pronësi 100% të huaj, përdorimin e euros dhe lehtësimin e pagesave ndërkombëtare përmes integrimit në SEPA.
Ajo shtoi se Kosova pozicionohet e pesta në botë për siguri dhe rend publik, sipas raportit më të fundit të Gallup për vitin 2026.
Ministrja Kusari-Lila adresoi gjithashtu partneritetin strategjik me Gjermaninë, duke theksuar praninë e rreth 200 kompanive me kapital gjerman në Kosovë. Ajo shpjegoi se prania e saj në Frankfurt, pas suksesit të Forumit të Tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar në Prishtinë, është një vazhdimësi e përkushtimit për të tërhequr linja të reja prodhimi, për të krijuar partneritete të reja dhe për të integruar bizneset vendase në zinxhirët evropianë të vlerës.
Duke përmbyllur, ajo rikonfirmoi se Kosova është e hapur për biznes, e gatshme për partneritete afatgjata dhe e vendosur të jetë një pjesë aktive e së ardhmes ekonomike të Evropës.
