Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar se në Serbi po ushtrohen presione politike për një qasje edhe më konfrontuese ndaj Kosovës, përmes kërkesave për rikthimin e Ministrisë për Kosovën dhe Metohinë, si dhe pretendimeve për “mbrojtjen e integritetit territorial” të Serbisë.
Fetoshi ka vlerësuar se këto zhvillime tregojnë vazhdimësinë e politikës së jashtme serbe, por me synime edhe më kërcënuese se ato të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq.
“Menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe ende pa u formuar qeveria e re në Serbi, vazhdimësia programore e “studentëve” në politikën e jashtme përballet me “presione politike” për një qasje edhe më konfrontuese se sa ajo e Vuçiqit”, ka shkruar ai.
Fetoshi ka përmendur kërkesën e Këshillit Nacional Serb (SNV), organizatë që, sipas tij, ka mbështetur Listën Studentore në zgjedhje, për rikthimin e Ministrisë për Kosovën dhe Metohinë. Ai ka theksuar se kjo organizatë udhëhiqet nga Momir Stojanoviq, ish-zyrtar i lartë i sigurisë ushtarake serbe, të cilin e ka lidhur me masakrën e Mejës.
“Një organizatë e quajtur Këshilli Nacional Serb (SNV), që e ka mbështetur Listën Studentore në zgjedhje dhe që udhëhiqet nga një gjeneral i akuzuar për krime lufte në masakrën e Mejës (27 prill 1999), ka kërkuar rikthimin e “Ministrisë për Kosovën dhe Metohinë”, si nevojë e ngritjes së nivelit në “mbrojtje të integritetit territorial të Serbisë” (N1, 23.11.2026)”, ka shkruar ai.
Sipas Fetoshit, kjo kërkesë vjen pas kallëzimit penal ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, si dhe zyrtarëve të tjerë, për pretendime lidhur me dëmtimin e interesave të Serbisë në Kosovë.
“Pas kallëzimit penal (së bashku me SNF dhe Lëvizjen “Otadzbina”) ndaj Vuçiqit, Bërnabiqit, Daçiqit, Petkoviqit e Rakiqit (KoSSev, 16.11.2026) për kinse “dëmtimin e interesave të Serbisë në Kosovë”, këshilli që udhëhiqet nga Momir Stojanoviq, ish shef i sigurisë ushtarake të Korpusit të Prishtinës (1996-1999) dhe ish drejtor i inteligjencës ushtarake të Serbisë – VBA (2004), rezulton në përputhje me zotimet e Listës Studentore për “ndjekjen penale ndaj përfaqësuesve të regjimit, që kanë arritur dhe zbatuar marrëveshje antikushtetuese në dëm të Serbisë” (Programi, Kosova dhe Metohija)”, ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se kërkesa për rikthimin e kësaj ministrie nuk duhet parë vetëm si çështje e organizimit të pushtetit në Serbi, por si përpjekje për të legjitimuar pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
“Mbi këtë bazë, deklarata nuk është thjesht kalkulim pushteti për “një ministri më afër kufirit me Kosovën”, por “presion” për ta “legjitimuar” një qasje edhe më kërcënuese në pretendimet territoriale të Serbisë”, ka shkruar ai.
Fetoshi ka ndërlidhur këto zhvillime edhe me deklaratat e liderit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka kërcënuar me bllokimin e vendimmarrjes në Bosnjë-Hercegovinë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërimet në Komisionin për Ruajtjen e Monumenteve Kombëtare.
“Në të njëjtën linjë, por nga një pikë tjetër e synimeve ekspansioniste është edhe kërcënimi i Millorad Dodikut për bllokimin e çdo vendimi në Bosnjë-Hercegovinë, derisa nuk shfuqizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli të pavlefshme veton e anëtares serbe të presidencës, Zeljka Cvijanoviq dhe mbështetjen nga Kuvendi i Republikës Serbe, lidhur me emërimet në Komisionin për Ruajtjen e Monumenteve Kombëtare (Gjykata Kushtetuese, U-17/26)”, ka shkruar ai.
Duke iu referuar deklaratës së Dodikut në rrjetin social X, Fetoshi ka thënë se retorika e tij kërcënon Marrëveshjen e Dejtonit dhe mund të shërbejë si arsyetim për qasjen e pushtetit të ri në Serbi.
“Pas një sëmundjeje të gjatë e të dhimbshme, Bosnjë-Hercegovina vdiq sot. Gjykata Kushtetuese e gjymtuar dhe jolegjitime, i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe”, shkroi në X aleati i Kremlinit dhe lideri i politikës secesioniste, duke kërcënuar me “fundin e durimit” (Dodik në X, 20.11.2026)”, ka shkruar ai.
“Një retorikë e tillë që kërcënon Marrëveshjen e Dejtonit, mund të lexohet njëjtë, si “presion” i nevojshëm për “arsyetimin” e qasjes së pushtetit të ri në Serbi”, ka shkruar ai.
Në fund, Fetoshi ka vlerësuar se përputhja e qëndrimeve të Dodikut me programin e Listës Studentore në Serbi sinjalizon vazhdimësinë e orientimit gjeopolitik të pushtetit të ri serb dhe mund të ndikojë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
“Përputhshmëria e qëllimeve të tij me programin “studentor”, sidomos në kontestimin e zbatimit të kompetencave për Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar dhe të drejtën e vetos si instrument bllokimi (Hazim Bashiq, 23.11.2026), sinjalizon vazhdimësinë gjeopolitike të pushtetit të ri në Serbi, duke sfiduar edhe më tutje Perëndimin dhe duke kërcënuar paqen e stabilitetin në Ballkan”, ka shkruar ai.
