Arkeologët kanë bërë një zbulim të rrallë në Sutton Hoo, në Anglinë Lindore, ku rëra e ngurtësuar ka ruajtur formën e një trupi njerëzor të varrosur rreth 1400 vjet më parë, pavarësisht shpërbërjes së plotë të trupit dhe kockave për shkak të aciditetit të tokës.
Ky zbulim është realizuar në varrezën Garden Field, pranë qytetit Woodbridge, në kontesë e Suffolk. Gërmimet janë kryer nga ekipi i programit arkeologjik “Time Team”, në bashkëpunim me “National Trust”, organizata që menaxhon sitin. Garden Field ndodhet veçmas nga tumat mbretërore për të cilat njihet kompleksi i Sutton Hoo.
Pranë konturit të trupit, arkeologët kanë gjetur objekte të tilla si rruaza, një pincetë, një thikë dhe një karficë. Menjëherë poshtë kësaj gjurme, ata zbuluan shenja që lënë të kuptohet se në të njëjtin varr mund të jetë vendosur edhe një person i dytë. Studiuesit shpresojnë që analizat e ardhshme të ofrojnë më shumë informacione mbi moshën, statusin social të të varrosurit, si dhe lidhjen e mundshme mes dy individëve.
**Si u ruajt forma e trupit?**
Angus Wainwright, arkeolog pranë “National Trust”, shpjegon se në disa varre të Sutton Hoo, aciditeti i lartë i tokës ka shkaktuar dekompozimin e plotë të trupave dhe kockave gjatë shekujve. Ndërsa procesi i dekompozimit zhvillohej, reaksionet kimike në tokë bënë që rëra përreth të ngurtësohej, duke fiksuar kështu formën e individit.
Kjo gjetje sjell në mendje format e viktimave të Pompei-t, edhe pse procesi i ruajtjes ka qenë ndryshe. Pas shpërthimit të Vezuvit në vitin 79 të erës sonë, trupat u mbuluan nga hiri vullkanik, dekompozoheshin dhe linin pas zgavra. Në shekullin XIX, arkeologët i mbushën këto zgavra me allçi, duke krijuar kopje që ruajnë detaje si palat e veshjeve dhe formën e sandaleve. Në Sutton Hoo, ishte vetë rëra e ngurtësuar që ruajti konturin e trupit.
**Përtej varreve mbretërore**
Sutton Hoo njihet kryesisht për varrin madhështor me anije, zbuluar në vitin 1939, i cili mendohet t’i përkiste një sundimtari të rangut të lartë, ndoshta mbretit Rædwald të Anglisë Lindore. Në këtë sit janë zbuluar gjithashtu një përkrenare e famshme anglosaksone, stoli ari, armë, monedha, figura lojërash dhe varre me kuaj.
Sipas Wainwright, gërmimet e fundit në Garden Field e zhvendosin fokusin e kërkimit nga elitat mbretërore te banorët e zakonshëm të fshatrave dhe fermave të luginës. Objektet e gjetura pranë të vdekurve mund të ofrojnë të dhëna të vlefshme mbi mënyrën e jetesës dhe praktikat funerare të këtyre komuniteteve.
Një tjetër zbulim i pazakontë nga Sutton Hoo është ena bizantine e Bromeswell, e punuar nga një aliazh bakri dhe që i përket shekullit VI. E zbukuruar me një skenë gjuetie, kjo enë dëshmon ardhjen e sendeve luksoze nga vende të largëta në Anglinë e asaj periudhe.
Kjo enë ishte ripërdorur si urnë funerare. Brenda saj u gjetën fragmente eshtrash njerëzore, duke përfshirë pjesë të kyçit të këmbës dhe të pjesës së sipërme të kafkës, si dhe mbetje të një kafshe më të madhe se një derr. Sipas arkeologes Helen Geake, specialiste e periudhës anglosaksone në “Time Team”, vendosja e kësaj urne në kontekstin e varrezës mund të ndihmojë në dhënien e përgjigjeve për pyetjen e hapur: kur dhe pse u zgjodh Sutton Hoo si vend varrimi?
