Belgjika është përfshirë nga një grevë kombëtare që ka paralizuar një pjesë të madhe të transportit dhe shërbimeve publike, në shenjë proteste kundër masave shtrënguese të ndërmarra nga qeveria federale.
Qindra fluturime dhe trena janë anuluar, ndërsa aeroportet kryesore të vendit janë përballur me ndërprerje të aktivitetit. Greva e së hënës ka bërë që trafiku ajror të ndalet në të gjithë vendin, pasi kontrollori i trafikut ajror Skeyes njoftoi se nuk mund të garantonte ofrimin e shërbimeve të zakonshme në aeroportet belge.
Aeroporti i Brukselit bëri të ditur se të gjitha fluturimet në nisje dhe mbërritje, nga ora 07:00 deri në orën 21:00 sipas orës lokale, do të anuloheshin.
Ndërkohë, aktiviteti u ndërpre edhe në aeroportin e Charleroi-t, i cili përdoret kryesisht nga kompanitë ajrore me kosto të ulët, përfshirë Ryanair.
Sipas Bordit të Përfaqësuesve të Linjave Ajrore në Belgjikë, i cili përfaqëson rreth 25 transportues ajrorë, kjo është greva e 11-të që prek hapësirën ajrore belge brenda po aq muajsh.
Por pasojat nuk janë kufizuar vetëm në transportin ajror. Greva ka prekur gjithashtu shërbimin hekurudhor, autobusët, shkollat dhe një sërë shërbimesh të tjera publike.
Protestat janë organizuar nga sindikatat kundër politikave ekonomike të qeverisë së kryeministrit Bart De Wever, e cila synon të kursejë rreth 10 miliardë euro në vitet e ardhshme për të reduktuar deficitin buxhetor të vendit.
Plani i kursimeve ka shkaktuar përçarje brenda koalicionit qeverisës dhe ka shtuar pasigurinë për të ardhmen e kabinetit. De Wever i ka ofruar më herët dorëheqjen Mbretit Philippe, por monarku nuk e ka pranuar atë, duke i dhënë kryeministrit më shumë kohë për të zgjidhur ngërçin politik.
Pas dështimit të një tjetër raundi negociatash për buxhetin, De Wever ka vendosur 31 dhjetorin si afatin përfundimtar për arritjen e një marrëveshjeje mbi buxhetin e vitit të ardhshëm.
Zyra e kryeministrit ka paralajmëruar se mungesa e një marrëveshjeje deri në fund të vitit mund të çojë në paralizimin e qeverisë dhe t’i japë fund funksionimit të saj.
Ndër masat që po shqyrtohen janë shkurtimet e shpenzimeve publike, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, si dhe rritja e TVSH-së. Nga ana tjetër, sindikatat kërkojnë që barra financiare të shpërndahet edhe te personat me të ardhura të larta, përmes rritjes së taksave ndaj tyre.
Ndërsa pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës vazhdojnë të shtohen, Belgjika po përballet me një valë të përsëritur protestash, në një kohë kur edhe vende të tjera evropiane po përjetojnë tensione të ngjashme sociale dhe ekonomike.
