Paraqitja e Lumir Abdixhikut me defa, në fokus të analistëve të ‘Pressing’: ‘Po u del byreku’
Një video e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, teksa luan me defa gjatë Darkës së Lamës, ka nxitur diskutime në emisionin “Pressing”, ku analistët kanë komentuar këtë paraqitje të tij.
Analisti Valon Syla vuri në dukje se historikisht, në rrethana të caktuara kulturore apo sociale, burrat kanë luajtur def.
Nga ana tjetër, analisti Ilir Mirena e krahasoi këtë paraqitje me aktivitete të mëhershme të LDK-së, duke sjellë në mend përmbylljen e fushatës zgjedhore të 9 shkurtit, të cilën, sipas tij, e kishin barazuar me koncertet e grupit Coldplay.
Mirena deklaroi: “Ne kur e kemi pasur LDK-në në përmbylljen e fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, e kemi krahasuar me koncertet e Coldplay. Kjo tregon se politikanëve, sado që vishen me petkun e njeriut progresiv, në fund po u del byreku dhe po kthehen në gjenezë.”
Sipas Mirenës, kjo paraqitje shërben si dëshmi e natyrës së vërtetë të politikanëve, pavarësisht imazhit që përpiqen të krijojnë në publik.
Diskutimi u shoqërua edhe me komente ironike lidhur me videon, duke përfshirë reagime si “Fake” dhe “Sa poshtë kanë rënë”.
