**Ushtari i FSK-së, i lënduar në Babaj të Bokës, me thyerje kurrizore; FSK thekson se po heton rrethanat**
Një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pësuar një thyerje në shtyllën kurrizore gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, pavarësisht se FSK-ja fillimisht raportoi lëndime të lehta. Ngjarja ka ndodhur dje, ndërsa Forca ka bërë të ditur se rrethanat e incidentit janë duke u hetuar.
FSK-ja, menjëherë pas incidentit, njoftoi se ushtari kishte pësuar lëndime të lehta dhe se gjendja e tij shëndetësore ishte stabile. Atij i është ofruar menjëherë ndihma e parë mjekësore dhe aktualisht po vazhdon trajtimin.
Në njoftimin e saj zyrtar, FSK-ja nuk dha detaje për shkakun teknik të shpërthimit, por theksoi se “rrethanat e incidentit po trajtohen nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale”. Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas deklaratës, “mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve dhe procedurave të sigurisë gjatë realizimit të të gjitha aktiviteteve stërvitore dhe operacionale”. FSK-ja i uroi ushtarit shërim të shpejtë dhe rikuperim të plotë.
Raportime të djeshme sugjeronin se lëndimi kishte ardhur si pasojë e shpërthimit të municionit brenda armës që po përdorej gjatë stërvitjes. Pas incidentit, ushtari u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal të Gjakovës, e më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, konfirmoi se gjendja e ushtarit është stabile dhe se janë kryer ekzaminimet e nevojshme. Megjithatë, drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Xhavit Gashi, bëri të ditur se ushtari ka pësuar thyerje të një unaze në shtyllën kurrizore, në pjesën e kraharorit. Gashi shtoi se janë planifikuar ekzaminime shtesë për të vlerësuar plotësisht shkallën e lëndimit.
