Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj etiketimit të veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe bashkëpunëtorëve të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova si “UDB-ashë” në emisione televizive.
Në një postim, Osmani theksoi se këto etiketime po ndodhin pikërisht në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, duke kritikuar ashpër gjuhën e përdorur ndaj figurave patriotike dhe veprimtarëve të LDK-së.
“Në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, qytetarët e Kosovës detyrohen të dëgjojnë në studio televizive një tjetër ligësi: atdhetarët më të spikatur të këtij vendi, veprimtarët e LDK-së dhe bashkëpunëtorët e afërt të Presidentit Rugova, të etiketohen si UDB-ashë”, ka shkruar Osmani.
Ajo vlerësoi se urrejtja ndaj LDK-së ka arritur në pikën e njollosjes së atyre që u vranë, duke theksuar se kërkimi i së vërtetës dhe drejtësisë për vrasjet e pazbardhura nuk duhet të konsiderohet përçarje.
“Deri këtu paska arritur urrejtja ndaj LDK-së: të njollosen edhe ata që u vranë, vetëm pse kërkojmë të vërtetën për vrasjet e tyre dhe drejtësi për krimet që ende nuk janë zbardhur”, ka deklaruar ajo.
Osmani i ftoi ata që, sipas saj, vazhdojnë të pyesin se çfarë e nxiti urrejtjen, përçarjen dhe fushatën e atentateve ndaj veprimtarëve të LDK-së, të ndjekin deklaratat në studiot televizive.
“Kushdo që ende pyet se çfarë e ushqeu urrejtjen, përçarjen dhe fushatën e atentateve ndaj veprimtarëve të LDK-së, le t’i dëgjojë këto zëra në studiot televizive. Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, e njëjta gjuhë, të njëjtat etiketime dhe e njëjta përpjekje për ta përmbysur të vërtetën”, ka shkruar Osmani.
Ajo theksoi se kërkimi i drejtësisë për të vrarët nuk përbën përçarje, por se përçarja, sipas saj, konsiston në njollosjen e viktimave dhe justifikimin e krimeve.
“Të kërkosh drejtësi për të vrarët nuk është përçarje. Përçarje është të njollosësh viktimat, të justifikosh krimet dhe të heshtësh përballë vrasjeve”, ka thënë Osmani.
Ish-presidentja reagoi me tone të ashpra ndaj atyre që i cilësoi si “përçarës”, duke u shprehur se nuk do të mund ta ndryshojnë të vërtetën përmes njollosjes së viktimave.
“Zoti ju marroftë, o përçarës! As pas kaq shumë vitesh nuk u ngopët me urrejtje, me helmimin e opinionit publik dhe me justifikimin e tragjedisë së vëllavrasjes. Nuk do ta ndryshoni dot të vërtetën duke njollosur viktimat. Dhe nuk do ta ndalni kërkimin e drejtësisë duke fyer të vrarët”, shtoi Osmani me një gjuhë të fortë.
