Lajme

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim udhëheqësen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Vaiani Gaidatzi.

Sipas njoftimit të Haxhiut në rrjetin social Facebook, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Greqisë, mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit si dhe forcimin e lidhjeve mes dy parlamenteve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rrugës evropiane të Kosovës, veçanërisht në funksion të presidencës greke të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila do të mbahet në gjysmën e dytë të vitit 2027.

Haxhiu vlerësoi mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të rajonit dhe theksoi rëndësinë e avancimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duhet theksuar se Greqia është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.