Barcelona padit Florentino Perezin: Kërkon Tërheqjen e Akuzave për Korrupsion në Çështjen Negreira

Konfrontimi mes Barcelonës dhe Real Madridit po thellohet, këtë herë në rrafshin ligjor. Klubi katalanas ka ndërmarrë hapa ligjorë kundër presidentit të Real Madridit, Florentino Pérez, duke i kërkuar të tërheqë deklaratat e tij lidhur me të ashtuquajturën “Çështje Negreira”, të cilat akuzojnë Barcelonën për korrupsion.

Dy klubet rivale do të përballen të mërkurën, më 25 nëntor, në gjykatat e Madridit, në një seancë pajtimi. Kjo seancë mund t’i hapë rrugën një padie penale kundër presidentit madrilen, në rast se nuk arrihet një marrëveshje.

Barcelona kërkon që Pérez të tërheqë deklaratat e tij të bëra në muajin maj, kur akuzoi klubin katalanas për korrupsion dhe për përfitime të padrejta nga vendimet e arbitrave. Kreu i Real Madridit e kishte cilësuar këtë rast si “skandalin më të madh në historinë e futbollit”.

Duke cituar Perezin, ai kishte deklaruar: “Është një rast korrupsioni i paprecedentë në historinë e futbollit botëror. Barcelona gjithmonë përfiton, ndërsa skuadrat e tjera janë dëmtuar.” Më tej, ai vuri në pikëpyetje edhe legjitimitetin e disa titujve të fituar nga klubi katalanas.

Nga ana e tij, Barcelona, nën drejtimin e presidentit Joan Laporta, i konsideron këto deklarata thellësisht shpifëse dhe dëmtuese për imazhin dhe reputacionin e klubit. Klubi katalanas ka paralajmëruar se, nëse nuk arrihet marrëveshje dhe Pérez nuk tërhiqet nga akuzat, do të vazhdojë me ndjekjen e rrugës së padisë penale.