**Kosova pa regjistër transparent për koncesionet, raporti zbulon mangësi serioze**
Një raport i fundit zbulon se Kosova, bashkë me pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk posedon një sistem të plotë dhe transparent për publikimin e detyrimeve financiare që rrjedhin nga partneritetet publike-private (PPP) dhe koncesionet. Kjo mungesë e thekson vështirësinë në vlerësimin e rreziqeve buxhetore afatgjata të shtetit.
Analiza Krahasuese Rajonale për Partneritetet Publiko-Private dhe Koncesionet, e cila ka përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, ka konstatuar se asnjë nga këto vende nuk publikon sistematikisht të dhënat për detyrimet financiare të drejtpërdrejta dhe ato të mundshme të shtetit për projektet individuale të PPP-ve dhe koncesioneve.
Në rastin e Kosovës, aktualisht janë aktive vetëm tri marrëveshje partneriteti publiko-privat. Megjithatë, deri në fund të vitit 2025, autoritetet publike kishin dorëzuar gjithsej 234 propozime për projekte të tilla, përfshirë ato në proces shqyrtimi apo që pritet të shqyrtohen në të ardhmen.
Një nga problemet kryesore të theksuara është mungesa e një sistemi digjital të integruar për publikimin dhe menaxhimin e të dhënave për koncesionet. Ndryshe nga projektet PPP, të cilat realizohen përmes platformës e-Prokurimi, për koncesionet nuk ekziston një bazë e strukturuar e të dhënave. Njoftimet për koncesione publikohen në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, por dokumentet janë të shpërndara në formate Word dhe PDF dhe duhet të shkarkohen një nga një për të mbledhur informacione. Për më tepër, portali PPPKosova.org, që më parë shërbente për këtë qëllim, nuk është më funksional.
Raporti thekson se edhe pse Ligji për Partneritetin Publiko-Privat e obligon Komitetin për Partneritet Publiko-Privat të mbajë Regjistrin Kombëtar të PPP-ve, nuk ka të dhëna nëse ky regjistër është i qasshëm online. Gjithashtu, mungojnë të dhënat e strukturuara që do të mundësonin pasqyrimin e të gjitha projekteve aktive dhe atyre në fazën e propozimit.
Mes projekteve të përmendura në analizë janë koncesioni për Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kompleksi i shkollave të mesme në Gjilan dhe parkingu nëntokësor në Prishtinë. Përmenden edhe tri shkolla në Prishtinë dhe parkingu nëntokësor në Podujevë, të cilat janë në faza të tjera të realizimit.
Një tjetër problem është vonesa në miratimin e Ligjit të ri për Partneritetin Publiko-Privat. Projektligji, i përgatitur që nga viti 2019 dhe i kaluar në konsultim publik, ende nuk është proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës. Ligji aktual, i miratuar në vitin 2011, nuk është plotësisht në përputhje me Direktivën e Bashkimit Evropian për koncesionet. Raporti shton se të dhënat për zbatimin e kontratave dhe pagesat nuk janë plotësisht të qasshme në mënyrë elektronike, duke e bërë të vështirë monitorimin e detyrimeve financiare.
Ndër rekomandimet kryesore janë miratimi urgjent i ligjit të ri, krijimi i një platforme të vetme qendrore për të gjitha projektet PPP dhe koncesionet, si dhe publikimi i të dhënave të hapura për të rritur mbikëqyrjen publike.
Kjo analizë është realizuar në kuadër të një projekti rajonal të koordinuar nga Qendra për Komunikime Qytetare në Maqedoninë e Veriut, me pjesëmarrjen e organizatave partnere nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Lëvizjen FOL nga Kosova.
