Një debat i ashpër u zhvillua në Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Në këtë takim, ku merrnin pjesë anëtarët e Bordit të ZRRE-së, diskutimet u përqendruan rreth pyetjes nëse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) blen energji elektrike.
Debati nisi pas pyetjes së deputetit të LDK-së, Ermal Sadiku, drejtuar Bordit të ZRRE-së, në lidhje me blerjen e energjisë elektrike nga KEK-u. Sadiku adresoi deklaratat publike të disa përfaqësuesve të pushtetit, të cilët kanë theksuar se KEK-u nuk blen energji elektrike.
“Disa deputetë dhe ministra/ministre këtu deklarojnë se KEK-u nuk blen energji elektrike,” theksoi Sadiku.
Në përgjigje të kësaj deklarate, reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, i cili tha se është pranuar që vendi blen energji elektrike, por në sasi të vogla.
“Po, ne kemi theksuar se blerja e energjisë elektrike ndodh në sasi të vogël,” u shpreh Kelmendi.
Ndërhyrja e Kelmendit nxiti një debat mes deputetëve, ku u përfshi edhe deputeti tjetër i LVV-së, Ilir Kërçeli, duke kundërshtuar pikëpamjen e Sadikut.
Ndërkaq, kryetari i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, ndërhyri për të dhënë sqarime. Ai shpjegoi se KEK-u bën nominime ditore të energjisë që ka në dispozicion dhe se për sasinë e nominuar, në rast të rënies së prodhimit, detyrohet të sigurojë energji elektrike.
“Dëshiroj vetëm të sqaroj se KEK-u bën nominime ditore të energjisë në dispozicion dhe, për atë pjesë që nominon, në rast se ka rënie, detyrohet ta sigurojë energjinë, por kjo vlen vetëm për disa orë,” sqaroi Gojani.
