Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion kundër korrupsionit në rajonin e Ferizajt, ku janë ndaluar tre persona. Mes të ndaluarve janë zyrtarë të gjykatave dhe një avokat.
Aksioni u realizua më 24 nëntor 2026, rreth orës 08:50, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK). Ky operacion u zhvillua në dy lokacione të ndryshme, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore, po në Prishtinë.
Tre të dyshuarit, përfshirë zyrtarë të gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë, si dhe një avokat, dyshohen se kanë vepruar në pozita dhe role të ndryshme zyrtare. Ata akuzohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”, të kryera në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, dyshohet se të ndaluarit kanë ushtruar ndikim në proceset dhe afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe në çështje të lidhura me punësimin.
Gjatë kontrolleve, Policia ka sekuestruar katër telefona celularë, dy njësi kompjuterike dhe dokumente të rëndësishme për hetimet.
Të tre personat e dyshuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ata janë ndaluar për 48 orë.
