Gëzim Bobi është arrestuar nën dyshimin se ka ndihmuar Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e Arlinda Zekajt, që t’u shmangej organeve të drejtësisë, raporton IndeksOnline.
Sipas dyshimeve të bazuara, Bobi më 25 tetor 2026, pasi Albert Sylaj ishte transportuar nga Metë Pepaj deri në fshatin Bec, e kishte marrë dhe strehuar në banesën e tij në rrugën “Tirana” në Gjakovë.
Me këtë veprim, dyshohet se i kishte mundësuar Sylajt të fshihej dhe të qëndronte larg organeve të rendit.
Po ashtu, më 26 tetor, rreth orës 11:30, Bobi dyshohet se me automjetin e tij të tipit “Opel Insignia” e kishte transportuar Albert Sylajn në drejtim të fshatit Maznik, me qëllim që t’i mundësonte vazhdimin e fshehjes dhe shmangien nga arrestimi.
Rasti lidhet me vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
