Tifozët e Manchester Cityt i kanë rezervuar një pritje emocionuese Kevin De Bruynes në rikthimin e tij në stadiumin “Etihad”, këtë herë si futbollist i Napolit, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve që po zhvillohet sonte.
Siç raporton “Corriere dello Sport”, tifozët vendas e kanë përshëndetur mesfushorin belg me këngën e famshme “Oh Kevin De Bruyne”, e cila për një dekadë të tërë jehoi në stadiumin e Manchester Cityt.
Në tribuna ishte shfaqur edhe një baner i vogël me fotografinë e tij dhe mbishkrimin “King Kev”.

Tifozëve u ishin shpërndarë gjithashtu kartona me fotografinë e De Bruynes me fanellën e Cityt, ku shkruhej: “Mbreti ynë. Nëse e dimë se je i lumtur çdo ditë, kjo na mjafton”.
Në një tjetër mesazh shkruhej: “Njëherë pjesë e Cityt, gjithmonë pjesë e Cityt”.
Kjo pritje speciale nuk është aspak befasuese, duke marrë parasysh atë që De Bruyne ka arritur gjatë dhjetë viteve të kaluara në Manchester.
Ai u transferua nga Wolfsburgu në vitin 2015, në një kohë kur kishte ende dyshime për të ardhmen e tij, pas një periudhe jo të suksesshme te Chelsea. Megjithatë, shumë shpejt u shndërrua në trurin krijues të skuadrës së Pep Guardiolës.
Gjatë dhjetë viteve te Manchester City, mesfushori belg fitoi gjashtë tituj të Premierligës, dy Kupa FA, pesë Kupa të Ligës dhe një trofe të Ligës së Kampionëve.
Në 421 paraqitje me fanellën e klubit anglez, De Bruyne realizoi 108 gola dhe dhuroi 177 asistime.
Manchester City i kishte organizuar atij edhe një lamtumirë madhështore në maj të vitit 2025, me një koreografi gjigante në tribuna, një mural në qytet dhe emërtimin e një rruge në qendrën stërvitore të klubit me emrin e tij./GazetaExpress/
