Hetimet për vrasjen e dyfishtë në Fier drejtohen drejt Suedisë dhe Kosovës

Një automjet tip “Volvo”, i raportuar si i vjedhur në Suedi në vitin 2023, ka shërbyer si një pistë kyçe për hetimet lidhur me atentatin e dyfishtë në Fier, duke i drejtuar ato drejt Suedisë dhe Kosovës. Policia shqiptare u ka kërkuar autoriteteve të të dyja vendeve informacion të detajuar për automjetin, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët e vrasjes së Selami Hasanit, i njohur si Sel Çami, dhe nipit të tij, Jakup Hasani.

Hetuesit dyshojnë se makina ka hyrë në Shqipëri nga Kosova, përmes pikës kufitare të Morinës. Për këtë arsye, policia u ka kërkuar homologëve kosovarë të dhëna për kalimin e mjetit dhe po verifikon nëse në transportimin e tij janë përfshirë edhe shtetas kosovarë. Ndërkohë, autoriteteve suedeze u është kërkuar informacion për rrethanat e vjedhjes, historikun e automjetit dhe personat që mund të kenë lidhje me të.

Automjeti u gjet i djegur në fshatin Dërmenas të Fierit. Brenda tij, policia zbuloi katër armë zjarri, tre prej të cilave me silenciator. Përmes rindërtimit të rrugëtimit të automjetit deri në Shqipëri, hetuesit synojnë të identifikojnë autorët e atentatit dhe personat që mund t’i kenë ndihmuar.

Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes. Selami Hasani kishte dalë nga burgu vetëm 20 ditë para ngjarjes fatale. Ai kishte përfunduar një dënim prej 25 vjetësh burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur ndryshe si Ben Qimja.