Kryeministri Albin Kurti deklaron se rritja ekonomike po reflektohet në jetën e qytetarëve
Kryeministri Albin Kurti publikoi ditën e sotme një përmbledhje të “arritjeve kryesore të Qeverisë Kurti 2”. Kjo qeveri, në krye të detyrës që prej vitit 2021, ka prezantuar “suksese dhe arritje të shumta” gjatë mandatit të saj.
Në parathënien e dokumentit, Kurti shkruan fillimisht për situatën e vështirë të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë. “Pa kaluar as një vit, na goditi kriza energjetike dhe rritja e kostos së jetesës si pasojë e luftës në Ukrainë, krizë të cilën kontinenti evropian nuk e kishte parë brenda gjysmëshekullit të fundit,” theksoi ai.
Pavarësisht këtyre sfidave, kryeministri thekson se qeveria ka arritur të veprojë në mënyrë transparente, të drejtë dhe llogaridhënëse. Kurti shpreh bindjen se rritja ekonomike, e atribuuar qeverisjes së tij, po ndikon ndjeshëm në jetën e qytetarëve.
“Ndonëse rrugëtimi ynë u vështirësua nga bllokimi paszgjedhor në Kuvend, edhe si qeveri në detyrë ne nuk devijuam asnjëherë nga misioni. Besojmë fuqishëm se rritja ekonomike nuk është thjesht një statistikë në letër. Ajo ka vlerë vetëm kur ndihet në jetën tuaj: te paga që rritet, te shtesat për çdo fëmijë, te punësimi pa ndërmjetës dhe te sovraniteti në çdo cep të territorit tonë,” shkroi Kurti.
Ky konstatim i kryeministrit Kurti, se rritja ekonomike po reflektohet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, krijon një kontrast të dukshëm me realitetin ekonomik të përjetuar nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë.
Kurti përmend pagat, shtesat për fëmijët dhe punësimin si tregues të përmirësimit të jetës. Megjithatë, këto masa, shpesh, vlerësohen më tepër nga shumat e ndara dhe numri i përfituesve, sesa nga ndikimi real në buxhetin familjar.
