Policia e Kosovës ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët lidhur me qarkullimin e disa email-eve mashtruese. Këto mesazhe po dërgohen në adresa të ndryshme elektronike, si institucionale ashtu edhe personale, me qëllim mashtrimin.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës (PK), këto email-e pretendohet se janë dërguar në emër të ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, kolonel Fehmi Hoti, si dhe nga Agjencia e Kosovës për Siguri Kibernetike.
Email-et mashtruese mbajnë titullin “Raport: krim kibernetik/Droga të paligjshme” dhe paralajmërojnë marrësit kinse kanë përmbajtje ilegale në adresat e tyre elektronike.
Policia e thekson se ky email nuk është lëshuar as nga Policia e Kosovës (përfshirë drejtorin e përgjithshëm) dhe as nga agjencia e lartpërmendur. Pra, bëhet fjalë për një dokument jozyrtar me qëllim mashtrimin.
Për të gjithë ata që pranojnë mesazhe të tilla, të cilat shpesh përmbajnë kërcënime si: “Keni 24 orë kohë për t’u paraqitur në selinë e policisë, departamentin e krimit kibernetik ose për të dërguar një email të menjëhershëm pasues, përndryshe do të bëhet një arrestim i menjëhershëm”, Policia thekson se duhet t’i injorojnë plotësisht. Ky nuk është një dokument zyrtar dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërmerrni veprime apo të ktheni përgjigje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do ta trajtojë këtë dukuri dhe do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm bazuar në të dhënat dhe elementet e mesazheve mashtruese.
