**SPGM dhe SHGM: Deklaratat e Mickoskit për “tekste të porositura” dëmtojnë rëndë besimin në media**
Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGM) dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, të cilat, sipas tyre, minojnë besimin publik tek media. Këto deklarata u bënë nga kryeministri në një intervistë televizive të dhënë së fundmi.
Mickoski, duke iu referuar një shkrimi të gazetës “Financial Times” (FT) mbi operacionet afariste të Alta Bankës së Serbisë në Austri, la të kuptohej se artikulli në fjalë mund të ishte i porositur.
“Vënia në dyshim e reputacionit të një mediumi prestigjioz botëror dhe e çdo mediumi profesional nuk përcjell mesazh të mirë,” theksojnë SPGM dhe SHGM. Edhe më serioz është qëndrimi i kryeministrit se subjektet politike “mund të porosisin tekste në çfarëdo portali” dhe se “mund të shkruhet gjithçka”, duke shtuar se ai “nuk e kupton se çfarë ka të keqe këtu”. Ndonëse kryeministri mohoi, gjatë pyetjeve shtesë të gazetares, se ai apo partia e tij porosisin tekste për denigrim, SPGM dhe SHGM vlerësojnë se deklarata të tilla, pavarësisht qëllimit, minojnë thelbësisht rolin e mediave të lira në shoqëritë demokratike. Roli i mediave është të shërbejnë si kontrollues të pushtetit dhe të kontribuojnë në informimin e publikut mbi bazën e fakteve të verifikuara nga burime relevante, theksohet në komunikatën e përbashkët.
SPGM dhe SHGM rikujtojnë se tekstet e porositura në media mund të publikohen vetëm si reklama për qëllime marketingu, të cilat mediumi duhet t’i shënojë qartë.
“Jemi të vetëdijshëm se në disa media mund të ekzistojnë edhe porosi joformale për publikimin e teksteve,” citohet komunikata. “Por kjo praktikë është plotësisht në kundërshtim me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë dhe dëmton interesin publik. Prandaj, deklarata të tilla e cenojnë edhe më tej besimin tashmë të brishtë tek media dhe te gazetarët”, përfundojnë SPGM dhe SHGM.
