Futbollisti Raheem Sterling dënohet me burgim të pezulluar për drejtim të rrezikshëm
Futbollisti i njohur anglez, Raheem Sterling, është dënuar me 12 muaj burgim të pezulluar, për një periudhë 18-mujore, pasi pranoi akuzat për drejtim të rrezikshëm të automjetit të tij. Vendimi, i cili erdhi pas një incidenti me Lamborghinin e tij në disa autostrada të Anglisë, përfshin gjithashtu 100 orë punë në komunitet dhe një ndalim drejtimi për dy vjet.
Ngjarja për të cilën Sterling pranoi fajësinë, daton në 28 maj, kur ai drejtoi mjetin e tij në mënyrë të rrezikshme në autostradat M25, M3, A327 dhe rrugën Minley në Hampshire, përpara se të përfshihej në një aksident.
Përveç drejtimit të rrezikshëm, 31-vjeçari pranoi gjithashtu se kishte në zotërim gjashtë bombola me oksid azoti, të destinuara për përdorim të paligjshëm, si dhe refuzoi t’i jepte një mostër policisë.
Gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën e Magjistraturës në Basingstoke, gjyqtarja Kirsty Allman theksoi se futbollisti gëzonte një “reputacion të mirë” dhe se “karakteri i tij kishte qenë shembullor”, pavarësisht akuzave.
Sterling, i cili ka luajtur për klube të njohura si Liverpool, Manchester City, Chelsea dhe Arsenal, nuk shfaqi asnjë reagim gjatë leximit të dënimit.
