Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në kuadër të vizitës zyrtare në Japoni dhe në cilësinë e anëtarit të Bordit, ka marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Fondit Global për Angazhimin dhe Qëndrueshmërinë e Komuniteteve (GCERF), të mbajtur në Tokio.
Gjatë këtij takimi, bëhet e ditur se Sveçla diskutoi mbi sfidat aktuale dhe angazhimet e përbashkëta në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit, transmeton IndeksOnline.
Në fjalën e tij, ministri prezantoi progresin dhe rezultatet konkrete të Republikës së Kosovës në këtë fushë, duke veçuar kapacitetet e dëshmuara të institucioneve të sigurisë, zhvillimin e arkitekturës institucionale sipas modelit evropian, si dhe forcimin e mekanizmave parandalues.
“Republika e Kosovës përbën shembull për rajonin dhe më gjerë për punën e bërë në proceset e kthimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të qytetarëve të kthyer nga zonat e konfliktit. Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimi i terrorizmit janë investim i drejtpërdrejtë në sigurinë dhe të ardhmen e shoqërisë sonë”, theksoi Sveçla.
Sveçla gjithashtu vlerësoi lart partneritetin dhe mbështetjen e GCERF për Republikën e Kosovës, si dhe rolin e këtij mekanizmi si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe ndarjen e praktikave të mira.
Po ashtu, ai riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar kontributin e vendit në përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërtimin e komuniteteve më të sigurta e më të qëndrueshme.
