Blerta Deliu kritikon ashpër Vetëvendosjen: Dje folën për suksese në shëndetësi, sot votuan kundër barnave për pacientët me kancer
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) pas votimit të tyre kundër një rezolute në Kuvendin e Kosovës, e cila synonte sigurimin e furnizimit të rregullt me barna për pacientët me kancer.
Deliu theksoi hipokrizinë e deputetëve të LVV-së, duke kujtuar se vetëm një ditë më parë kishin folur për arritjet dhe sukseset në shëndetësi, ndërsa sot votuan kundër një nisme jetike për shëndetin publik dhe mirëqenien e pacientëve me sëmundje malinje.
Në një reagim të saj, Deliu shpjegoi se rezoluta kërkonte tri pika thelbësore: që pacientëve të mos u ndërpriteshin terapitë, të shqyrtohej rimbursimi i barnave të blera me mjete private nga vetë pacientët, si dhe që institucionet përkatëse të mbanin përgjegjësi për mungesat e konstatuara.
“Vetëvendosje votoi kundër. Si ua shpjegojnë këtë votë familjeve që po përballen edhe me sëmundjen, edhe me pamundësinë financiare për ta trajtuar atë?” – pyeti Deliu, duke sfiduar qasjen e LVV-së ndaj këtij problemi.
Votimi kundër kësaj rezolute vjen në një kohë kur mungesa e barnave onkologjike ka qenë një shqetësim i madh dhe i vazhdueshëm, duke kulmuar edhe me raportime për vdekje pacientësh për shkak të mungesës së terapisë, siç ishte rasti i fundit i një pacienteje.
