**Operacion i Gjerë në Stamboll: Arrestohen Yje të Serialit ‘Sulejmani i Madhërishëm’ dhe Figura të Tjera Publike për Drogë e Prostitucion**
Dy aktore të njohura të serialit turk “Sulejmani i Madhërishëm”, Deniz Çakır dhe Burcu Özberk, janë arrestuar në Stamboll si pjesë e një operacioni të gjerë policor. Ato dyshohen për posedim droge dhe lidhje me rrjete prostitucioni, së bashku me disa figura të tjera publike turke.
Hetimi gjithëpërfshirës, i nisur nga Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit, çoi në lëshimin e urdhër-arresteve për 35 persona. Deri të mërkurën në mëngjes, policia kishte ndaluar mbi njëzet të dyshuar, në një operacion që synon luftimin e trafikimit, prokurimit dhe konsumimit të drogës, si dhe krimeve të lidhura me prostitucionin.
Mediat turke bëjnë me dije se hetuesit kanë mbledhur prova përmes analizimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera dixhitale të konfiskuara, si dhe nga dëshmitarë sekretë. Të gjithë të ndaluarit i janë nënshtruar ekzaminimit mjekësor dhe testeve të drogës, përpara se të paraqiten para gjyqtarit.
Pamjet filmike treguan momentin kur Deniz Çakır, e veshur me një xhaketë lëkure kafe dhe syze dielli, shoqërohej nga policia për kontroll mjekësor, teksa zbriste shkallët me kokën ulur. Akuzat e sakta ndaj saj nuk janë bërë ende publike nga zyra e prokurorit.
Përveç dy aktoreve të përmendura, ndër personat e tjerë të njohur të ndaluar janë këngëtari dhe aktori Özcan Deniz, biznesmeni İbrahim İzzet Özilhan, anëtar i bordit të Anadolu Group dhe nënkryetar i Shoqatës së Industrialistëve Turq, si dhe prezantuesit televizivë Murat Ceylan dhe Murat Başoğlu. /Indeksonline/
