Afati për apelimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së përfundon nesër, ndërkohë që Bashkimi Evropian shpreh gatishmërinë për konsultime mbi Ligjin për Dhomat e Specializuara. Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit duhet të njoftojë nesër apelimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë.
Avokatët e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së tashmë kanë bërë të ditur se do të apelojnë dënimin, duke e konsideruar atë të padrejtë.
Edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paralajmëruar mundësinë e apelimit, megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse prokuroria ka kundërshtuar aktgjykimin.
Në rast apelimi, Gjykata e Apelit do të shqyrtojë pretendimet e palëve dhe ligjshmërinë e aktgjykimit, pa e përsëritur procesin gjyqësor në tërësi.
Nuk ka një afat të caktuar se kur pritet të përfundojë ky proces, por njohës të fushës kanë paralajmëruar se shqyrtimi në Apel mund të zgjasë rreth një vit.
Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i dhënë në shtator, shkaktoi reagime dhe kundërshtime të shumta, të cilat u manifestuan me protesta masive për disa ditë rresht.
Gjatë këtyre zhvillimeve, u ngrit edhe ideja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Protestuesit kërkuan miratimin e këtij ligji në Kuvend, duke paralajmëruar edhe forma të tjera proteste, përveç atyre paqësore, në rast të mosvotimit.
Ligji fillimisht u votua, por më pas u kërkua kthimi i tij në Kuvend, vendim ky i marrë nga Presidentja. Është paralajmëruar se një draft i ri për këtë ligj do të dërgohet së shpejti në Kuvend për miratim.
Zyrtarë nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar për Gazetën Express se presin të konsultohen për çdo nismë që synon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e ka mirëpritur gatishmërinë e BE-së për këto konsultime dhe ka ftuar përfaqësuesit e saj në takime për këtë çështje.
