Ish-deputeti Milaim Zeka është paraqitur sërish në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar të shpallet i pafajshëm në rastin e shmangies nga tatimi. Të enjten u mbajt seanca e kolegjit, ku u shqyrtuan ankesat kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kjo gjykatë e kishte dënuar Zekën me 1 vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë, si dhe e kishte detyruar t’i kompensojë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) shumën prej 67 mijë eurosh.

Gjatë seancës, Zeka ripërsëriti kërkesën për t’u shpallur i pafajshëm, duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë qëllim t’i shmanget detyrimeve tatimore. Ai deklaroi se kompania e tij ishte mbyllur me vërtetim nga ATK-ja dhe se prej një dekade po “maltretohej” nëpër gjykata me akuza që ai i cilësoi të montuara.

Zeka pretendon se përfaqësuesi i ATK-së kishte dhënë deklaratë të rreme nën betim. Po ashtu, ai ngriti pretendimin se kryehetuesi, tashmë i ngritur në postin e prokurorit, u ishte drejtuar dy dëshmitarëve me fjalë të papërshtatshme. Ish-deputeti theksoi se lloji i dënimit, me kusht apo pa kusht, nuk e ndryshon faktin që ai regjistrohet si person i dënuar në regjistrat gjyqësorë.

Ai shprehu shpresën se kolegji gjykues do të marrë një vendim të drejtë dhe meritor, bazuar si në dëshminë e tij, ashtu edhe në dokumentacionin e paraqitur.

Mes lotësh, Zeka theksoi padrejtësinë e ndjekjes gjyqësore prej një dekade. Ai bëri një krahasim me të kaluarën e tij, duke deklaruar se pas arratisjes nga burgu në vitin 1982, kurrë nuk ishte përballur me ligjin, ndërsa tani akuzohet si kriminel nga vetë shteti i tij. Zeka po ashtu pretendoi se prokurori Atdhe Gashi i kishte kërkuar 120 mijë euro për t’u tërhequr nga akuza, pretendim të cilin prokurori e mohoi. Ai e quajti këtë një “shpifje dhe rrenë” që e ka mbajtur në gjyqe për 10 vjet.

Zeka përsëriti se akuzat nga shteti i tij ishin përvoja më e rëndë. Ai ngriti shqetësimin se një provë kyçe, një emision televiziv mbi të cilin bazohej një akuzë për kanosje, ishte zhdukur nga Prokuroria. Sipas tij, kjo nënkupton se nuk kishte kërcënuar, por kishte thënë se do të “merrej vesh” me gjykatësit.

Burimi: “Betimi për Drejtësi”