**Aksion i gjerë policor: Tre të arrestuar dhe pasuri mbi 1 milion euro e sekuestruar në goditjen e grupit kriminal**
Policia e Kosovës, Prokuroria Speciale dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) kanë zhvilluar një aksion të gjerë, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar për vepra penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe shpëlarjes së parave. Gjatë këtij operacioni, është sekuestruar pasuri me vlerë mbi një milion euro.
Aksioni u zhvillua në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, pajisje elektronike si telefona, kompjuterë dhe USB, si dhe para të gatshme e dokumente të ndryshme që shërbejnë si prova.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, të arrestuarit kanë shfrytëzuar komunikimet elektronike dhe telefonike për të mashtruar kryesisht shtetas të huaj, duke i joshur ata të investonin në platforma të rreme investimi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, reagoi pas këtij aksioni, duke theksuar se “Lufta kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale po vazhdon pa kompromis.” Ai theksoi përkushtimin e institucioneve të sigurisë në identifikimin dhe goditjen e çdo aktiviteti kriminal që synon përfitimin e paligjshëm dhe cenon sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve, duke premtuar zbatimin e ligjit ndaj tyre.
Hetimet për këtë rast janë ende në vazhdim.
