Barcelona ka nisur të mendojë për përforcimet e afatit kalimtar të verës së vitit 2027, ndërsa në listën e dëshirave të katalunasve është edhe mbrojtësi i Manchester Cityt, Josko Gvardiol.

Sipas mediumit “El Nacional”, klubi katalunas e sheh reprezentuesin kroat si një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv në projektin e trajnerit Hansi Flick.

Në këtë transferim mund të luajë rol edhe Rodri. Mesfushori spanjoll ka marrëdhënie të afërt me Gvardiolin dhe mund të ndihmojë Barcelonën për ta bindur kroatin që t’i bashkohet skuadrës.

Megjithatë, realizimi i këtij transferimi nuk pritet të jetë i lehtë. Gvardiol ka kontratë me Manchester Cityn deri në qershor të vitit 2031, çka e bën pothuajse të pamundur largimin e tij në afatin kalimtar të janarit, ndërsa edhe një marrëveshje në verën e vitit 2027 pritet të jetë mjaft e kushtueshme.

Barcelona, megjithatë, duket e gatshme ta mbajë emrin e kroatit në listën e objektivave për të ardhmen.