Gjykata Administrative shfuqizon përjashtimin 60-ditor të deputetëve Bardhi dhe Balliu
**Tiranë** – Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka shfuqizuar vendimin e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, i cili përjashtonte për 60 ditë nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe komisionet parlamentare deputetët Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu. Vendimi i gjykatës e shpall të paligjshëm masën e marrë ndaj ligjvënësve dhe hyn në fuqi menjëherë.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, është anuluar vendimi nr. 15, i datës 12 tetor, lëshuar nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Ky vendim kishte sanksionuar përjashtimin e dy deputetëve nga puna parlamentare për një periudhë dy-mujore. Me shfuqizimin e këtij vendimi nga Gjykata Administrative, Bardhi dhe Balliu fitojnë të drejtën të rikthehen menjëherë në funksionet e tyre parlamentare. Vendimi i gjykatës është i ekzekutueshëm që në momentin e shpalljes së tij.
