Mesfushori Nico Paz nuk shpreh dëshirë të rikthehet te Real Madridi në këtë moment, pa pasur garanci për një rol thelbësor në skuadër, sipas raportimeve të “The Athletic”. Qëndrimi i tij mund të ndryshojë nëse i ofrohet një pozicion i rëndësishëm, por deri tani, garancitë e tilla mungojnë.
Real Madridi e shiti argjentinasin te Como verën e kaluar për 60 milionë euro, duke ruajtur megjithatë një klauzolë riblerjeje prej 80 milionë eurosh, e cila aktivizohet vetëm në verën e vitit 2027. Nëse klubi spanjoll vendos të mos e aktivizojë këtë klauzolë, Como do të jetë i lirë të tregtojë lojtarin normalisht. Klauzola e riblerjes, sipas “Indeks Online”, komplikon situatën për çdo klub tjetër të interesuar për Paz.
Gazeta spanjolle “AS” bën të ditur se Real Madridi ende nuk ka marrë një vendim mbi aktivizimin e klauzolës, me një përgjigje që pritet në pranverë. Një rikthim i tij në merkaton e janarit është përjashtuar kategorikisht.
Pengesa kryesore për Paz mbetet konkurrenca e fortë. “AS” thekson se drejtuesit e Madridit janë të vetëdijshëm për kërkesën e tij për minuta dhe një rol të rëndësishëm, por në “Santiago Bernabéu” ai do të garonte me emra si Jude Bellingham, Arda Güler, Brahim Diaz dhe Rodrygo, të cilët gjithashtu kërkojnë hapësirë.
Paz, 22 vjeç, konsiderohet si trashëgimtari kryesor i numrit 10 të Lionel Messit në kombëtaren e Argjentinës. Nën drejtimin e Cesc Fabregas te Como, ai është shndërruar në një nga lojtarët më me ndikim në Serie A.
Këtë sezon, Paz ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë tetë asiste në të gjitha garat (Serie A dhe Champions League), prej të cilave tre gola dhe tre asiste janë në kampionat. Sezonin e kaluar, në 35 ndeshje të Serie A, ai realizoi 12 gola dhe asistoi 6 herë.
