Kosova, Serbia dhe Bosnja mbeten pa fonde nga Plani i Rritjes i BE-së; Komisionerja Kos paralajmëron vizitë në Prishtinë për të shtyrë reformat.
Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk do të përfitojnë fonde nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Këtë e bëri të ditur Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, gjatë samitit të mbajtur sot në Tiranë.
Në të kundërt, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë fonde të tjera nga BE-ja, pasi kanë përmbushur reformat e kërkuara për të përfituar mbështetje financiare.
Gjatë takimit me liderët rajonalë, Komisionerja Kos iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e njoftuar për një vizitë në Kosovë në fillim të dhjetorit.
“Në Kosovë, i dashur Albin, qeveria e re paraqet një mundësi të re për të ridrejtuar fokusin e rrugëtimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian,” citohet të ketë thënë Kos. “Kjo është një shans për të realizuar reforma dhe për të përfituar më shumë fonde. Me shumë kënaqësi, në fillim të dhjetorit do të vij në Kosovë për të diskutuar se si mund ta avancojmë këtë proces dhe ta zgjerojmë atë, duke qenë se tashmë ju i keni të gjitha institucionet e formuara.”
Në fjalën e saj hyrëse, Kos prezantoi vlerësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë performuar më mirë në përmbushjen e kritereve, prandaj do të shpërblehen me fonde shtesë.
Ndërkaq, Komisionerja Kos i theksoi zëvendëskryetarit të Kuvendit të Serbisë, përfaqësues i vendit të tij në samit, se qeveria e mëparshme serbe, megjithëse ishte dakorduar për reformat e kërkuara, nuk i kishte realizuar ato.
/Express/
