**Joshua Kimmich mbron Musialan: Klubi nuk është më i madh se njeriu!**

Joshua Kimmich, mesfushori i Bayern Munich, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës sesi po trajtohet publikisht situata e bashkëlojtarit të tij, Jamal Musiala. Ai kritikoi fuqishëm komunikimin e klubit, duke theksuar se “një klub nuk është më i madh se njeriu”.

Kimmich shprehu mirëkuptim për situatën e vështirë të klubit, por theksoi se një lojtar nuk duhet të bëhet përgjegjës për të gjitha, veçanërisht pas një periudhe të karakterizuar nga dëmtime dhe probleme shëndetësore. Ai kujtoi se Musiala ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm të Gjermanisë në Kampionatin Evropian, si dhe kishte rinovuar kontratën me Bayernin dhe kishte marrë fanellën me numrin 10, si në klub ashtu edhe në Kombëtare.

“E kuptoj që kjo nuk është një situatë e lehtë as për klubin. Por ajo që nuk e kuptoj është mënyra se si kjo çështje po komunikohet publikisht,” citohet Kimmich. “Nuk duhet të ndodhë kurrë që një lojtar të mbajë mbi supe gjithë barrën e situatës.” Ai shtoi më tej: “Sigurisht, klubi vjen i pari dhe është më i madh se ne si futbollistë, por nuk është më i madh se njeriu. Kjo është absolutisht e papranueshme. Kjo nuk është mënyra e Bayernit.”

Mesfushori gjerman theksoi se çështje të tilla duhet të diskutohen brenda klubit, në komunikim të drejtpërdrejtë me futbollistin dhe përfaqësuesit e tij, dhe jo përmes deklaratave publike.

Kimmich foli gjithashtu për kontaktin e përditshëm me Musialan, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tij në stërvitje. “E shoh çdo ditë dhe e di sa shumë punon. Nuk është se ka probleme për shkak të mungesës së profesionalizmit. Përkundrazi, ai është këtu çdo ditë, dëshiron të japë maksimumin dhe punon jashtëzakonisht shumë. Mendoj se ai e shijon vërtet të qenit pjesë e ekipit tonë,” deklaroi Kimmich.

Në përfundim, Kimmich dërgoi një mesazh të qartë mbështetjeje për bashkëlojtarin e tij, duke theksuar se Musiala gëzon përkrahjen e plotë të skuadrës.