Nën luhatëset e fëmijëve fshihej “fabrika” e drogës: Policia spanjolle zbulon bunkerin me gati 2 mijë bimë marihuanë

Një fermë e fshehtë dhe tejet e sofistikuar për kultivimin e marihuanës është zbuluar nga autoritetet në Spanjë, e fshehur brenda një bunkeri nëntokësor të ndërtuar poshtë një këndi lojërash për fëmijë.

Kompleksi u zbulua në qytetin Las Gabias, në provincën e Granadës, dhe hetuesit e kanë cilësuar si fermën më të madhe dhe më të avancuar teknologjikisht të këtij lloji të zbuluar ndonjëherë në rajon, transmeton IndeksOnline.

VIDEO

Ajo që e bënte këtë rast edhe më të pazakontë ishte mënyra e kamuflimit të hyrjes së bunkerit.

Sipas raportimit të The New York Times, ajo ndodhej e fshehur nën barin artificial, pranë luhatëseve dhe një shtëpize lojërash për fëmijë, ndërsa qasja në objekt bëhej përmes një kapaku të posaçëm me mekanizëm hidraulik.

Gjatë bastisjes dhe kontrollit, transmeton IndeksOnline, policia zbuloi një plantacion me sipërfaqe prej rreth 180 metrash katrorë, të ndarë në dy dhoma me lartësi tavani deri në pesë metra. Ambientet ishin të pajisura me sisteme moderne të ventilimit, ndriçimit dhe kontrollit të temperaturës.

Autoritetet sekuestruan gjithsej 1,954 bimë marihuanë, ndërsa hetimet nxorën në pah edhe një vjedhje masive të energjisë elektrike, e cila sigurohej në mënyrë të paligjshme përmes një lidhjeje direkte me linjën më të afërt të furnizimit.

Sipas hetuesve, ky kompleks nëntokësor konsumonte aq energji elektrike sa rreth 100 amvisëri të zakonshme, çka dëshmon përmasat e mëdha të pajisjeve dhe instalimeve që përdoreshin për kultivimin e lëndës narkotike./IndeksOnline/