Mourinho merr përsipër përgjegjësinë për humbjen, por ironizon gjyqtarin: Ndoshta sezonin tjetër i vjen radha Courtois-t për karton të kuq
Jose Mourinho ka marrë përsipër përgjegjësinë për humbjen e Real Madridit, por pas ndeshjes nuk hezitoi të adresonte kritika ndaj gjyqtarit, i cili, sipas tij, ka një histori të ndëshkimit të yjeve të “Los Blancos”.
Trajneri portugez theksoi se mediat tani kanë lëndë për diskutim deri të mërkurën, por u bëri thirrje të fokusohen te humbja dhe analiza, jo te spekulimet për lojtarët.
“Tani keni historinë tuaj. Real Madridi humbi. Mos shpikni histori për Vinin, për Ardën. Keni diçka për të folur deri të mërkurën, flisni për këtë, humbjen, analizën. Përgjegjësia është e imja,” u shpreh Mourinho.
Ai foli edhe për penalltinë, duke e cilësuar të diskutueshme, por shtoi se i beson Jude Bellinghamit, i cili i kishte konfirmuar se ishte penallti. “Penalltia është e dyshimtë, por Bellingham më tha se ishte penallti, kështu që do ta besoj atë,” deklaroi ai.
Më pas, Mourinho fokusoi vëmendjen te gjyqtari, duke theksuar se i njëjti arbitër kishte përjashtuar edhe lojtarë të tjerë të Real Madridit në sezonet e fundit.
“Ky gjyqtar dëshiron t’u tregojë të gjithëve se është ai shefi. Fillimisht Mbappé-në, pastaj Vinin, tani Bellinghamin. Ndoshta sezonin tjetër do t’i japë karton të kuq Courtois-t,” tha ai me ironi.
Trajneri adresoi edhe performancën e Vinicius Jr, duke thënë se ajo ishte e ngjashme me atë të lojtarëve të tjerë dhe se nuk kishte nevojë për histori të shpikura.
“Nuk mendoj se ndonjë lojtar ishte më i mirë se të tjerët. Trajneri është përgjegjës,” përfundoi Mourinho. /IndeksOnline/
